Sa mall per sinemanë time

 

SINEMAJA…Nga Agim Xhafka

Edhe sot korçarët kinemasë i thonë sinema. Kështu nëpër vite. Sa herë përshëndeteshin dhe pyesnin njëri tjetrin ,ku ishe,vinte përgjigja:
-Po në sinema,bre.
Unë nuk mbaj mend ditën e saktë kur pashë filmin e parë,por di të them me siguri që sinemaja u bë dashnorja ime qysh ditën që shkela brenda.
Atëhere i thonin “Kinema Morava.” Më parë dhe sot e quajnë “Majestik.”

“Majestik”

Ndërsa unë ruaj kujtime nga salla e madhe kur rrinim ne populli dhe lozhat,ah ato lozha,ku rrinin drejtuesit e qytetit. Qenë të harkuara,me ballkone të vogla të kërcyera si bythkat e ndonjë çupke të hijshme. Mbanin brenda katër deri tetë karrike. E atje renditeshin sipas sërës qytetaria e Korçës. Nuk kishte film ku ne mos na mbetej koka lart deri sa fikeshin dritat. Ata të llozhave gjoja bënin muhabet mes tyre,por ama koka u zgjatej jashtë parmakut si për të na dëftyer se ishin ata shefat e zotërinjtë tanë.
Sinemaja kishte tre dyer. Në ditët kur kishte filma që biletat avullonin në çast celeshin të treja. Rrinte te kryesorja Kiçi i Gjatë dhe te tjetra Kiçi i Ngjirur. Te e treta sipas rradhës. Ose pastruesja,ose operatori i filmit.
Fati e desh që djalin e Kiçit të Gjatë e kisha në klasë. Ndaj kur sinemaja m’u bë drogë dhe u vara prej saj,shkoja çdo mëngjes te shtëpia e djalit të Kiçit dhe e prisja të shkonim bashkë në shkollë. Por nuk rrija poshtë,ngjitesha deri lart që të më shihte Kiçi,të më njihte e të më tundte kokën kur i thoja,të vij sot te shoh një film? Kaq më duhej dhe qysh në orën 2 e gjysëm zija pozicion te dera. Sa hapej ajo delte Kiçi. Kur nuk më shihte pas pesë minutash i bërtisja. Në se nuk ma varte,i afrohesha dhe e prekja tek xhaketa. Në përgjithësi kur kthente kokën më kapte prej veshi dhe më shtynte brenda duke qeshur. E kështu nëper vite. Përherë në oren 3. Atëhere ishte më qetë,njerëzit ende ishin në punë e salla mbushej thuajse me fëmijë.

Kam parë filma francezë,plot italianë,spanjollë,meksikanë. Më pas erdhën kinezët,vietnamezët,koreanet. Por i shijoja të gjithë,sidomos ata me luftë. Kur nga fundi bëhej beteja finale krejt njerëzia në sallë ishim në këmbë e gati t’i afroheshim bezes së ekranit,ta shqyenim e ta shpallnim veten si çlirimtarë. Fluturoja deri në qiell kur pritej filmi e bërtisja si i dalë mendsh. Apo kori korçar që ishte si me dirigjent kur bërtisnim:” Hajde kanistra!” sapo çifti në film puthej. Edhe bezja valëvitej nga erosi i pak sekondave.
Babai asnjëherë nuk ma uli këtë pasion. Nuk më ndaloi asnjë ditë nga që përditë shihja film. Përkundrazi,sa kthehesha më vinte para krejt familjes t’u tregoja përmbajtjen. Kaq doja dhe me duar e këmbë ua sillja çdo skenë para syve.
-Ti aktor nuk do bëhesh,por shkrimtar me siguri,-thoshte mamaja që shpesh qante kur unë rrëfeja ngjarjet.
Nga sinemaja e qytetit kam plot histori.

Ca romantike,ca komike. Më vjen sot në detaje kur shkova me shoqen time Shpresën në filmin “Çatia”. Bleva vetëm një biletë se aq lekë sigurova. Kur hyra më pa me çudi Kiçi. Ia bëra me sy. Qeshi dhe më gjeti belaja brenda. S’kishte vende të lira. U ul Shpresa,por unë ngela më këmbë. Fat që ajo kishte karriken 1,te fillimi i rreshtit. U mbështeta te muri dhe në vend t’i prekja gishtat siç ëndërroja prej ditësh,i preka…supin.
Kinemaja ime quhej Morava. Me këtë emër e kam në tru. Por Majestik i shkon në thelb,se filmi është magji. Të trazon mendjet,ndjenjat,zemrën,t’i rrotullon e rrotullon si lavatrice me shpejtësi të madhe e pastaj t’i sjell para e të thotë sistemoji veç të mirat e veç te këqijat. Sinemaja qe tableti dhe celulari i djeshëm. Por me më shumë emocion,lotë,gëzim,mallëngjim e shpresë. Sa mall kam për sinemanë time. Qoftë dhe me emrin “Morava “…

Advertisement