“Lutem që asnjë lojtari të mos i ndodhë ajo qe më ndodhi mua”,tregon Jashanica:nuk dorëzohem …

 

Futbollisti i Skënderbeut dhe përfaqësueses së Kosovës Bajram Jashanica nuk e përjashton mundësinë që mund të ndërrojë skuadër. Në një intervistë për median e Kosovës “Zëri” qendërmbrojtësi i bardhekuqve tregon dhimbjen që po kalon si pasojë e dënimit dy-vjeçar nga UEFA për përdorim doping pas një takimi me Jang Bois në fazën e grupeve të Europa Ligës në sezonin 2017/2018.

Qendërmbrojtësi do të jetë i gatshëm të luajë sërish në shkurt 2020 teksa përfundon dënimi i UEFA-s.

Bajram Jashanica

“I dënuar për të qëndruar jashtë fushave për 2 vite – Ka qenë një periudhë ku po kaloja formën më të mirë me Skënderbeun dhe me Kosovën. Besoj se e kam dhënë më të mirën dhe jam munduar të përmirësohem në çdo ndeshje, pasi një lojtar profesionist duhet të ketë vazhdimësi në formën e tij. Ishte periudhë kur po bëhesha gati të transferohesha jashtë vendit, por ndodhi ajo që ndodhi, derisa më pas ka qenë periudha e errët për mua. Për fat të keq më ndodhi mua, por ata që më njohin mua e dinë se unë nuk dorëzohem lehtë, e kam një karakter të fortë dhe jam munduar që ta kaloj këtë periudhë, pasi kam menduar se mundem që edhe një herë të rikthehem, ndoshta edhe më i fortë.

E ardhmja – Po pres që të mbarojnë edhe këto ndeshjet e fundit në kampionat, pastaj do të bisedoj me klubin për ta vendosur të ardhmen. Nuk përjashtohet mundësia të transferohem në ndonjë ekip tjetër. E thashë edhe më herët se jam njeri që nuk dorëzohem dhe përderisa kam oferta nga klubet, dihet se kam bërë diçka në futboll, kam lënë gjurmë. Mendoj se falë asaj pune që e kam bërë më parë tashmë do të vijë shpërblimi për t’u kthyer edhe më i fortë edhe një herë aty ku isha. Kam oferta në Kosovë, në Shqipëri dhee në Maqedoni Veriore. Edhe Kosova mund të jetë mundësi. Do ta analizoj situatën mirë para se të vendos. Kosova po përparon çdo vit dhe po bëhet një kampionat i fortë. Të shohim se çfarë do të sjellë afati kalimtar”, shprehet Jashanica.

Ndërkohë, ai e pranon vendimin e UEFA-s por, do të dëshironte që koha e pezullimit të reduktohej.

“Jo, unë e respektoj vendimin, por normalisht do të kisha shumë dëshirë të jetë një përjashtim më i vogël, por unë e kam respektuar vendimin e UEFA-s dhe vazhdoj ta respektoj për gjithçka. Normalisht, UEFA ka rregulla e veta dhe ne do të duhej të ishim më të kujdesshëm në ato momente, por sërish po e përsëris se fati i keq më ka përcjellë”, përfundoi intervistën e tij futbollisti i Skënderbeut dhe Kosovës Bajram Jashanica.Panorama Sport

Advertisement