Nga studjuesi dhe historiani Gjergj Marku
Kongresi u mbajt në Lushnje nga data 21 deri në 31 janar 1920. Në të morën pjesë 50 delegatë nga zona të ndryshme të vendit. Punimet e Kongresit u drejtuan nga Aqif Pashë Biçakçiu.

Për të ruajtur rendin gjatë ditëve që zhvillohej Kongresi, u krijua një forcë e armatosur me vullnetarë nga e gjithë Shqipëria, që udhëhiqej nga Ahmet Zogu. Së pari, kongresi vendosi rrëzimin e qeverisë së Durrësit dhe zgjodhi delegacionin e ri shqiptar për Konferencën e Paqes, të përbërë nga Luigj Bumçi, Mehmet Konica dhe Mihal Turtulli. Kongresi i Lushnjes i dërgoi Konferencës së Paqes një telegram proteste ndaj planeve për copëtimin e Shqipërisë.

Së dyti, Kongresi miratoi Bazat e Kanunores së Këshillit të Naltë, ku ky i fundit do të përbëhej nga katër anëtarë dhe do të luante rolin e kryetarit të shtetit deri në ardhjen e mbretit. Anëtarët e Këshillit të Naltë ishin Aqif Pashë Biçakçiu, Mihal Turtulli, Luigj Bumçi dhe Abdi bej Toptani.

U miratua krijimi i Këshillit Kombëtar (Senatit), me 37 anëtarë. Së treti, Kongresi miratoi formimin e qeverisë së re, me në krye Sulejman Delvinën. Qeveria shqiptare e dalë nga Kongresi i Lushnjes, pas fitores së Luftës së Vlorës, do të vendoste kontrollin e saj të plotë në të gjithë Shqipërinë, duke i dhënë fund pasigurisë së pozitës së saj në arenën ndërkombëtare./Naishtedikur.info


