EKSKLUZIVE/ Skënderbeu blindon repartin ofensiv, korçarët firmosin me tre sulmues

 

Skënderbeu e mbyll merkaton me gjashtë afrime dhe tre lojtarë që u zyrtarizuan vetëm ditën e djeshme. Pas mbrojtësit të majtë, Eni Imami, klubi korçar firmosi me tre lojtarë që luajnë në repartin ofensiv, pikërisht qendërsulmuesi shkodran, Belajdi Pusi, si dhe sulmuesit e krahut: Beli Lukaj dhe Elvi Berisha. Nëse Pusi ka dy javë që stërvitet me korçarët dhe nuk përbënte ndonjë risi firma e tij, e kundërta mund të thuhet për dy të tjerët, të cilët vijnë nga aventura te Lacio dhe Laçi.

“Panorama Sport” zbuloi se sulmuesi i krahut të majtë, Lukaj, i lindur në Zvicër dhe i grumbulluar me Kombëtaren U-21 të Shqipërisë, ka arritur marrëveshjen me korçarët. Bëhet fjalë për një kontratë 3-vjeçare me sulmuesin 20-vjeçar, që vjen nga të rinjtë e Lacios.

Beli Lukaj

Ai ka qenë te skuadra bardhekaltër në këto dy vitet e fundit, ndërsa është formuar si lojtar tek Argau në Zvicër, duke qenë pjesë e ekipeve të moshave deri në U-18. Më pas ra në sytë e Lacios dhe pas dy viteve në Itali, tashmë do të luajë për Skënderbeun. Presidenti Takaj është i bindur se ka afruar një lojtar shumë interesant, që është një sulmues tipik i majtë. Në Korçë shpresojnë se i riu do të shpërthejë me fanellën bardhekuqe, me synimin për t’u shitur më pas në një klub të huaj. Kjo është edhe vetë strategjia e klubit me lojtarët e rinj.

Elvi Berisha është afrimi i radhës i Skënderbeut, teksa vjen pas aktivizimit për afro një vit te Laçi. Me fanellën e kurbinasve 20-vjeçari nuk gjeti hapësirat e duhura dhe u largua që në muajin dhjetor. Tashmë ai do të jetë një forcë më tepër për krahët e sulmit të bardhekuqve.

Elvi Berisha

Berisha debutoi në futbollin profesionist me Tiranën tri vite më parë, teksa bëhet fjalë për një lojtar që është kontingjent i ekipeve kombëtare të moshave. Për pak muaj Berisha ishte pjesë e Leganesit në Spanjë, por pa mundur të bëjë karrierë.

Ndërsa qendërsulmuesi Pusi shihet si alternativa më e mirë për të zëvendësuar Blerim Krasniqin. Shkodrani vjen pas aktivizimit te Vllaznia, aty ku nuk i besuan shumë dhe tashmë kërkon të ketë minutat e duhura me korçarët, në mënyrë që të tregojë potencialin që ka.

LARGIMET

Në orët e fundit të merkatos janë federuar edhe mesfushorët nga Gana, Alfred Mensah dhe Randi Xhunfo, që prej kohësh stërviten me Skënderbeun.

Dje klubi ka larguar mesfushorin kosovar, Malsor Ajeti, i cili nuk pati hapësira dhe tashmë do të gjejë një skuadër tjetër. Ndërsa dilema të mëdha ka për sulmuesin Arbnor Muja, i cili me shumë mundësi sot do të huazohet në një skuadër tjetër, ndoshta në Superligën e Kosovës.Panorama Sport