Nga Naum Mara:
Ministrja e dorëhequr Sala dhe Spitali i Korçës
Ka dhënë dorëheqjen Ministrja e Shëndetsisë. Nuk kam ditur se cila ishte dhe as më ka interesuar, sepse të gjithë ata që pranojnë të punojnë për një njeri si Rama, për mua nuk vlejnë një dysh.
Por sot pashë që ka bërë shkollime të mira dhe ka punuar në institucione të mira shëndetsore të huaja.
Rastësia më ngjalli interesin, të cilin nuk ma pat ngjallur as një postim i saj i fundit nga vizita në një repart të Spitalit të Korçës.
Sot lexova që mjekja radiologe Sala ka punuar edhe në Memorial Sloan Kettering Cancer Center në Nju Jork, ku punon prej 6 vjetësh edhe vajza ime mjeke. Eshtë spitali i dytë në botë për trajtimin e sëmundjeve kanceroze, pas një tjetri spital amerikan në Hjuston dhe diferenca e tyre nuk është e madhe qoftë në trajtimin e të sëmurëve dhe qoftë në kërkime për kura kundër kancerit.
Kam një lloj ideje nga ato që më ka thënë vajza rreth atij spitali, por edhe pse kam qënë dy herë në mjediset e tij nuk kam parë ndonjë gjë, që mund të përmend këtu. Eshtë një kompleks shëndetsor tepër i madh me disa korpuse në Manhattan.
Por nuk kam qëllim as të përmend se kam vajzën mjeke dhe as të kritikoj apo të përshëndes mjeken Sala për dorëheqjen.
Dua të theksoj natyrën manipuluese edhe të ministrave tanë më të shkolluar. Ministrja kishte vizituar në Spitalin e Korçës një repart të trajtimit të të sëmurëve me kancer ku ishin instaluar disa paisje të dhuruara nga dy organizata bamirëse shqiptaro- amerikane dhe as i përmendte donatorët, por donte të tregonte se ç’bëhej në sistemin shëndetsor në Shqipëri.
Si një sukses.
Dhe një mjeke, që kishte punuar në një nga spitalet më të mirë në botë tregonte si një ngjarje të madhe, instalimin e disa paisjeve që shkonin diku tek 100 mijë dollarë amerikanë. Dhe për më tepër as falenderonte ata që ishin kujdesur për të mbledhur fonde dhe për të gjetur paisjet e duhura.
Statusin e saj e përcolli edhe Rama, Peleshi dhe Filoja si sukses.
Ndoshta edhe profile të tjera në Facebook, që duan të fshehin gjendjen e mjerueshme të spitaleve tona.
Disa ditë më pas, ndoshta i detyruar nga donatorët, Spitali i Korçës bëri një sqarim, që paisjet nuk vinin nga “ministria e Tiranës” por nga Amerika.
Pse arrijnë deri këtu edhe njerëzit e mënçur dhe të studiuar si mjekja Sala?
Për të shitur sapunin për djathë?
Për të mos pranuar që në Shëndetsi vidhet vazhdimisht?
Përgjigjet i dini më mirë ju, miqtë e mij në Korçë, se përballeni me ambulancat dhe spitalet.
Ju kërkoni llogari të gjithëve, nga mjekët dhe Drejtori i Spitalit dhe deri tek Ministrat.
Nuk mban më!

