Dorëheqje e papritur në qeveri/ Evis Sala largohet nga Ministria e Shëndetësisë

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Evis Sala, ka dhënë dorëheqjen nga detyra. Sala e ka komunikuar vendimin gjatë mbledhjes së qeverisë të zhvilluar këtë të mërkurë, mëson ekskluzivisht Lapsi.al, duke i dhënë fund një mandati relativisht të shkurtër në krye të një prej dikastereve më të rëndësishme të qeverisë.

Për momentin nuk janë bërë të ditura zyrtarisht arsyet që e kanë çuar ministren drejt dorëheqjes, por në paraqitjen e dorëheqjes mësohet që ajo të ketë thënë se “do të ndjekë karrierën e saj akademike”.

Largimi i saj vjen pas një periudhe të shoqëruar me diskutime dhe kritika për situatën në sistemin shëndetësor.

Rastet më të fundit ku Ministria e Shëndetësisë është përgjegjëse, janë vdekja e nënës shtatzënë nga Pogradeci si pasojë e mosdhënies në kohë të ndihmës së parë dhe shërbimit me helikopter për tu nisur në drejtim të Tiranës dhe humbja e dy djemve në Vaun e Dejës si pasojë e vonesës së ambulancës së dëmtuar.

Denoncimet kanë vënë në fokus edhe raste të mungesës, vonesave apo defekteve të ambulancave, si dhe problematika të shërbimeve spitalore në zona të ndryshme të vendit.