Shtrenjtohen ndjeshëm apartamentet në Tiranë; Ekspertët: Nga taksat dhe pastrimi i parave

 

Çmimet e apartamenteve kanë shënuar një tjetër rritje gjatë muajve të fundit, pas një periudhe stanjacioni. Sipas operatorëve të tregut, shtrenjtimi ka ndodhur në të gjitha zonat dhe është i dukshëm në pallatet e reja që sapo kanë nisur të ndërtohen. Mesatarisht, nëse do të blesh sot një hyrje, duhet të paguash 100-150 euro më shumë për metër katror, sesa pak kohë më parë, madje në disa zona rritja është dhe më e fortë nw 300-600 euro më shumë.

Dy janë arsyet e kësaj tendence, sipas operatorëve, së pari rritja e taksave dhe së dyti qarkullimi i parave informale dhe pastrimi i tyre përmes ndërtimit.

Ylli Sula

Ylli Sula, sipërmarrës, botues i Gazetës Çelësi i cili ka krijuar përmes të dhënave historike të gazetës një indeks për çmimet e pasurive të paluajtshme, “Key Data Albania”, tha për “Monitor Ekonomi” se në zonën e unazës së vogël ka një rritje deri në 3.5% të çmimeve, më e ulëta krahasuar me zonat e tjera, ku çmimet luhaten deri 1150 euro. “Zona e bllokut ka dyfshin e rritjes, flasim 8.8% në indeks dhe në vlera çmimet shkojnë mesatarisht deri në 1450 për metër. Ajo që ka pësuar rritjen më të ndjeshme është zona jashtë unazës, ku flasim për një kapërcim deri në 17% në harkun kohor të një viti. Nga një mesatare prej 850 euro për metër sot flasim për çmime deri në 1050 euro”, pohon ai.

Juliana Nela

Edhe Nela është e mendimit që në këtë rritje të fortë po ndikojnë aktivitetet informale. “Vazhdimi i parave të çuditshme, patjetër që ka ndikimin më të madh në këtë përmbysje dhe çudi të tregut imobiliar. Paga të ulëta, emigracion masiv, metra katror ndërtimi pafund të hedhura në treg dhe çmimet rriten. Është e palogjikshme”, pohon ajo

Edhe Juliana Nela, broker në agjencinë “Remax” konfirmon rritjen e çmimeve, që sipas saj është shumë e fortë dhe nuk justifikohet vetëm me shtimin e taksave. “Në rast se taksat janë shtuar me 60 apo 70 euro për metër, dhe cilësia mund të ketë çuar në rritje kostoje me 20 apo 30 euro, shtrenjtimi i çmimeve është herë tre apo herë katër në raport me kostot. Pra 300 deri në 600 euro për metër rritje. Në zona që ne si agjenci dikur nuk kemi guxuar të merrnin të shisnim prona për më shumë se 900 euro metri, objektet e reja kanë dalë me 1600 euro, dhe me aq sa kemi informacion të gjitha po shiten. Është zona e Astirit në të cilën ne kemi tentuar të mos kapërcenim 500 euro, tashmë na vjen me 670 euro për metër katror”, pohon ajo.Monitor

Për t’u bërë pjesë e grupit "KorcaBlog.com" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë.