Covid-19/Lapsaxhinjtë nuk paguhen për të llogaritur ndjenjat njerëzore. Ata vetëm vizatojnë konturet e ardhshme të planetit.

Nga Ilir Shyta

Sa herë që matem të shkruaj ndonjë status mbi ritmin e çmendur të zhvillimit të botës, e cila po rend pa kthim drejt hiçit ose mbylljes së një cikli, më duket sikur shoh diku në ato ndërtesat hijerënda ku gatuhen fatet e botës, një grumbull njerëzish që bëjnë llogari. 

Sa duhet të vdesin e sa duhet të lindin, që ta frenojmë pak ritmin… Çfarë duhet të shpikim, që të heqim qafe moshën e tretë se po na hanë lekët kot, si duhet t’i trembim njerëzit që të mos përdorin makina se iu mor fryma planetit, si mund ta ulim pak prodhimtarinë e ekonomisë se u kalbën stoqet nëpër magazina, si mund t’u japim ndonjë shuplakë shteteve që na bëjnë karshillëk me zhvillimin marramendës, si ta frenojmë vanitetin e kotë që e krijuam me duart tona me vaska floriri e qytete bukëpeshku në mes të shkretëtirave (se duhet të bjerë edhe pak borë në Dubai se s’ka lezet), si të bëjmë të kthehemi pak pas, se ndoshta nga rubinetet tona të florinjta shkon ndonjë pikë edhe në gojën e atyre që qëllimisht i lamë të varfër… 

Dhe shpikëm Koronavirusin.
Nuk vret fëmijë, nuk vret të rritur, nuk vret të shëndetshëm. Vret vetëm pleq të sëmurë që s’i duhen as dreqit dhe i kushtojnë shtetit miliona dollarë e euro. Nuk vret shumë njerëz por i tremb të gjithë për vdekje. Vret ekonominë, ndalon rrotën, mbyll rubinetat. Por pastron ajrin, shkund raportet, sheshon disnivelet, rihap lojën. 

Të mëdhenjtë, të kamurit, dobësohen, dalin të gatshëm për të rinisur nga e para. Të vegjlit vdesin, ose dalin kockë e lëkurë dhe nuk mbijetojnë. Peri këputet gjithmonë aty ku është më i hollë. Por kjo është pjesë e lojës, pjesë e planit. 

Vdekjet dhe ekonomitë janë vetëm shifra për statistikat e mëvonshme. Si ajo pema që krasitet ose i rrallohen frutat kur bën shumë, që ato që mbeten të rriten më të shëndetshme.

Lapsaxhinjtë nuk paguhen për të llogaritur ndjenjat njerëzore. Ata vetëm vizatojnë konturet e ardhshme të planetit.
Po ne? Të lutemi që të mos jemi ajo pjesa e hollë e fillit. Dhe mos ju dorëzoni dëshpërimit…!

Për t’u bërë pjesë e grupit "KorcaBlog.com" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë.

Na ndiqni: