Italia ka publikuar bilancin e 24 orëve të fundit sa i përket të prekurve me Koronavirus. Numri i viktimave ka shkuar në 10779, që do të thotë janë 756 viktima në 24 orët e fundit.
Nga dita e djeshme kemi një ulje të ndjeshme të viktimave me 213, por numri është sërish i lartë.
Rastet janë shtuar me 3815 duke e çuar në 73880 numrin total të rasteve aktive. Numri i të shëruarave ka shkuar në 13030 ku ditën e sotme janë shëruar 646 dhe 3732 janë në gjendje kritike.
Ndërsa numri i të vdekurve në të gjithë botën ka shkuar në 33034.

Situata në Lombardi
Numri i vdekjeve të koronavirusit në Lombardi, rajoni verior i prekur më keq në këtë vend, është rritur me rreth 416 viktima brenda një dite, me totalin 6,360 të vdekur vetëm në kë rajon. Kjo shifër është më e ulët se ajo e raportuar të shtunën, me 542 viktima, e cila ishte e dyta më e madhe që kur shpërthimi u shfaq për herë të parë, pak më shumë se pesë javë më parë. Çdo shifër më e ulët ngjall një shpresë në Itali se situata dalëngadalë mund të shkojë drejt normalizmit.
Numri i rasteve në rajon, i cili përfshin edhe kryeqytetin financiar të Italisë, Milanon, u rrit me 1,592 vetë në 41,007 gjithsej.
Alarmi i ISS
Instituti i Lartë i Shëndetit në Itali është vënë në kërkim të një ilaçi që mund të jetë efikas në luftën kundër koronavirusit, mes shumë eksperimenteve që po bëhen në të gjithë botën se cili prej ilaçeve ekzistuese mund të funksionojë më mirë te pacinetët e ndryshëm në Itali. Por qëndrimi zyrtar i mjekëve dhe shkencëtarëve shpesh sfidohet me lajmet e rreme që qakullojnë dhe sugjerimet për ilaçe me përbërës që gjenden në shtëpi.

Patrizia Popoli, drejtore e Qendrës Kombëtare për Hulumtime dhe Vlerësim Preklinik të Drogave të ISS, theksoi se “Në asnjë rast nuk është e arsyeshme përdorimi i terapive të bëra vetë për trajtimin e Covid-19. Të gjitha ilaçet kanë efekte anësore pak a shumë serioze, dhe vetëmjekimi përfshin rreziqe edhe më serioze kur përdorni ilaçe të paautorizuara. Në rast të blerjeve në internet, atëherë këto rreziqe shumëzohen sepse ilaçi mund të jetë i falsifikuar”, paralajmëroi ajo e alarmuar.
Përveç ilaçeve, ka edhe teori pär pajisje mbrojtëse të “bëra në shtëpi”. Ernesto Iadanza, anëtar i komisionit biomjekësor të Urdhrit të Inxhinierëve të Firencës dhe profesor i inxhinierisë klinike në Universitetin e Firencës, si dhe kryetar i Divizionit të Vlerësimit të Teknologjisë Shëndetësore (HTA) të Federatës Botërore të Inxhinierëve Biomjekësorë thekson se: “Nuk mund të improvizosh” pajisje në shtëpi.
Ka shumë kërkesa që arrijnë ditët e fundit për inxhinierë nga sipërmarrës dhe qytetarë që duan të realizojnë pajisjet e tyre mjekësore ose mbrojtëse për pacientët dhe profesionistët e kujdesit shëndetësor. Por kjo ka rreziqe të mundshme.
