S’ka turizëm deri në qershor/ Anulohet gjithçka në Korçë dhe Pogradec, të rinjtë apel në rrjetet sociale

Emergjenca e koronavirusit ka futur në ngërç ekonominë shqiptare, me përqindjen e rritjes që tashmë parashikohet në ulje.Ashtu si edhe për shumë qytete shqiptare turizmi është një pjesë kryesore e ekonomisë për Korçën dhe Pogradecin.Por ndërsa pandemia përhapet dhe njerëzit izolohen, bizneset që varen nga turizmi shqetësohen çdo ditë e më tepër.

Në Korçë hotelet bujtinat e lokalet janë mbyllur duke shkuar drejt një paralize totale.

Driloni hesht. Restorantet e hotelet janë mbyllur, varkat që shëtisnin në ujin e tij qëndrojnë në breg.
Te vetmet që lëvizin janë mjelmat.

Janë qindra biznese në këto qytete dhe mijëra familje që nuk e dinë nëse do të jenë në gjendje të rregullojnë ngadalësimin që po pësojnë.

Edhe të punësuarit në sektorin e turizmit do ta ndjejnë tkurrjen e kësaj industrie.

Shpesh ndeshim shprehjen….“Çdo turist fut në punë 8 veta dhe çdo turist që nuk vjen, lë pa punë 8 veta”.

Deri në qershor gjithçka është anuluar, udhëtimet, rezervimet në hotele e restorante ndaj për këto biznese vështirësitë janë të shumta. 

Por ndërsa janë të shumta bizneset turistike që sot janë në kapërcyellin e mbijetesës në rrjete sociale ka nisur një fushatë ndërgjegjësimi, një apel i fortë për të mbështetur biznesin vendas dhe rimëkëmbur shpresat. 

Në rrjetin social “facebook” thuajse të gjithë po postojnë thirrjen që në fund të kësaj situate të blenë produktet “made in albania” të marrin shërbimet dhe të bëjnë pushime në Shqipëri ndërsa disa të reinj korçare këtë e kthyen në një videomesazh.

Kur virusi Covid -19 te mbaroje dhe rreziku do jete larguar, le të bëjmë diçka të mirë për vendin tonë :
Le të kalojmë pushimet në Shqiperi.
Kush e ka mundesine te dali në Bar Cafe & Restorante vendase.
Te blejmë produkte dhe te marrim sherbime Made in Albania 🇦🇱…
Te blejmë mish dhe produkte bulmeti vendase dhe të mbështesim bizneset e vogla dhe te mesme lokale e kombetare .
Këto biznese do ta kenë shumë të vështirë të ringrihen në këmbë dhe të mbijetojnë pa ndihmën tonë.
Keto biznese sot jane ne diten me te keqe dhe do duan kohe te ringrihen !
Prodhimet tona janë disa nga më të mirat në botë.
Vendi yne e di se si të bashkohet kur duhet.