Krasniqi: Të kapim vendin e dytë,zona europiane detyrim per Skënderbeun

Tre muaj pa futboll, por ekipet nuk e kishin harruar nuhatjen e golit. Rifillimi i futbollit prodhoi gjithçka.Në minutazhe të ndryshme, me intensitet të ndryshëm dhe me të gjitha mënyrat, u realizuan 3 eurogola nga brenda dhe jashtë zonës.– Në masën më të gjerë, ndeshjet e javës së 27-të u fituan nga trajnerët që janë më taktikë .Skënderbeu e nis atje ku e la, me fitore dhe një paraqitje të mirë në një takim delikat në transfertë përballë Partizanit.

I këtij mendimi është sulmuesi kavajas i bardhekuqve, i cili, i kontaktuar nga “Panorama Sport”, flet për fitoren e së mërkurës dhe objektivat për në vazhdim. Fitore që tregoi edhe një herë vlerat e bardhekuqve në një ndeshje të tillë.

Krasniqi: “Normalisht që do të ishim në një tjetër rendiment dhe kjo nuk është një risi. Të kesh kaq shumë shkëputje dhe më pas të arrish të kthehesh në vetëm dy javë është një punë e madhe. Ne treguam se jemi mirë dhe nuk e kemi humbur shkëlqimin e pasur në muajin mars. Përtej vështirësive mund të them se bëmë një ndeshje të mirë.

Trajneri na kishte udhëzuar që të prisnim fillimisht kundërshtarin për të parë se çfarë dinte të bënte dhe në çfarë gjendje ishte. Pasi pamë pikat e tyre të dobëta, vendosëm të reagonim dhe e bëmë ashtu si duhet. Besoj se ata dy gola ishin fryt i këmbënguljes sonë. Mendoj që e merituam fitoren, duke u bazuar te loja që treguam”, theksoi fillimisht Blerim Krasniqi.

Objektivi
Më pas numri nëntë i Skënderbeut u ndal edhe te vijimësia e kampionatit dhe objektivi sezonal i korçarëve. Për Blerim Krasniqin kapja e zonës europiane është një detyrim për Skënderbeun që në çdo rast do të jetë një arritje. Sulmuesi kavajas është i bindur se vendi i tretë në renditje nuk është maksimumi që korçarët mund të bëjnë, pasi ata kanë mundësi të ngjiten edhe më shumë, duke kërcënuar kështu vendin e dytë që mbahet nga Kukësi.

Jemi brenda objektivit dhe kjo na lumturon, pasi është një vend që na takon për shkak të cilësive që kemi në ekip. Këtë e them me bindje. Do të jetë mirë arritja e objektivit në të dyja rastet, pavarësisht se klubi shpreson që e drejta të vihet në vend nga Gjykata Federale.

Në anën tjetër mund të them se edhe vendi i dytë, duke parë diferencat e pikëve, mbetet i arritshëm dhe më se real. Janë edhe 27 pikë në lojë dhe ne duam t’i fitojmë të gjitha ndeshjet. Por, të mos harrojmë se kemi dhe një tjetër objektiv, Kupën e Shqipërisë, që është një trofe i rëndësishëm. Do të mundohemi të bëjmë mirë dhe atje”, mbylli prononcimin e tij Blerim Krasniqi/Panorama Sport