City po përgatitet për një prezantim spektakolar të Messit në Etihad

Presidenti i Barcelonës, Josep Maria Bartomeu dhe babai i Lionel Messit, Jorge, pritet të takohen të mërkurën – raporton Mundo Deportivo.Situata në mes të lojtarit dhe klubit është e tensionuar, pasi argjentinasi ka kërkuar ndërprerjen e kontratës, ndërkohë që të dielën refuzoi të merrte pjesë në testimet për COVID-19, rrjedhimisht nuk do të jetë pjesëmarrës në stërvitjet e të hënës.

Argentinasi dëshiron që klubi ta respektojë klauzolën e tij për ndërprerjen e kontratës në çdo fundsezoni (e cila ka skaduar më 10 qershor) duke iu referuar faktit se sezoni është zgjatur për shkak të pandemisë dhe ashtu duhej të ndodhte edhe me klauzolën.

Fjalia e vendosur në kontratë dhe e firmosur nga të dy palët është kjo: “Ky dëmshpërblim (700 mln euro) nuk do të aplikohet kur prishja e kontratës për vendim unilateral nga futbollisti do të ketë efekt në fund të sezonit 2019-2020”Pra, e thënë në fjalë të tjera: Leo Messi ka vepruar në mënyrën më korrekte të mundshme pas 3 sezonesh te Barcelona dhe Bartomeu e La Liga po mundohen të “manipulojnë” dokumentet.  

Ndersa eshtë duke u raportuar se Lionel Messi pritet që shumë shpejtë do të prezantohet te Manchester City.Pasi dorëzoi letrën për largim të martën e kësaj jave në zyrat e Barcelonës, ylli argjentinas po punon në kalimin e tij te Citizens.

Sipas asaj që raporton gazetari i Esporte Interativo, Marcelo Bechler, klubi anglez po i bën përgatitjet për një prezantim sa më spektakolar të gjashtë herë fituesit të Topit të Artë.

Me Covid/ Qytetari udhëton nga Tirana në Kakavijë, e ndalojnë grekët

Një udhëtar rreth 55 vjeç ka rezultuar pozitiv, pasditen e sotme, në pikën kufitare të Kakavijës. Mësohet se udhëtari nga Tirana kishte dalë pozitiv, por pavarësisht kësaj ishte nisur drejt Greqisë.Ai ka kaluar pa problem nga pala shqiptare, e cila nuk e bën kontrollin e testeve, pasi këto të fundit kërkohen vetëm nga pala greke.Ka qenë kjo e fundit që ka zbuluar testin pozitiv, duke rikthyer menjëherë për karantinim në Tiranë qytetarin.

Ai kishte udhëtuar me një autobus, ndaj dhe është bërë menjëherë dezinfektimi i mjetit.Ky precedent do të shërbejë që prej ditës së nesërme të ketë kontroll të testit edhe nga pala shqiptare.

ANALIZA: “Greqia provokon të zgjerohet në Jon për të testuar Turqinë”

Greqia ndërmori këtë javë një nga veprimet më agresive të politikës së jashtme, duke deklaruar se do të zgjerojë me 12 milje sovranitetin në Detin Jon, pa u konsultuar më parë me Shqipërinë dhe Italinë.Duke ia bërë fakt të kryer Shqipërisë, kryeministri Qiriako Mitsotaqis tha se Greqia ka në plan të shtrijë madhësinë e ujërave të saj territoriale përgjatë vijës bregdetare të saj perëndimore në Detin Jon nga 6 milje detare në 12. Ky vendim i papritur, i cili erdhi ndërkohë që Athina dhe Tirana po përgatiten të ulen në një tryezë për marrëveshjen dypalëshe mbi ndarjen e detit, duket të jetë një test politik për një lëvizje të ngjashme me Turqinë.

Mitsotakis tha se Shqipëria dhe Italia janë njoftuar tashmë dhe se një projekt-ligj do të përgatitet së më shpejt për të kaluar në parlamentin Grek për ratifikim.Ministri i Jashtëm i Greqisë, Nikos Dendias, ka bërë të ditur se do të udhëtojë në Tiranë këto ditë për të biseduar me kryeministrin Edi Rama, si ministër i Jashtëm në detyrë për Paktin Detar. Për shumë ekspertë nuk ishte surprizë që Greqia të përqendrohej tek ndarja e kufirit në detin Jon pas marrëveshjeve me Egjiptin dhe Italinë, por askush nuk e priste që Athina të mbante një qasje kaq agresive.

Edhe pse prek në mënyrë të drejtpërdrejtë Shqipërinë, zgjerimi i Greqisë në Detin Jon vjen për përfitime të brendshëm politike, pasi kjo lëvizje e Ankarasë është projektuar për të goditur tjetër kund, në anën tjetër të Mesdheut, në Turqi. Ekspertët thonë se për Greqinë, ky vendim nuk është asgjë tjetër, veçse një provë për të parë nëse mund të zgjerohet edhe në Egje. Burimi i vërtetë i kësaj lëvizjeje të Greqisë nuk është në fakt Shqipëria, por Turqia, e cila ka sfiduar Athinën, duke dërguar herë pas here në Egje flotën ushtarake dhe anije eksploruese për burime natyrore gaz dhe naftë.

Mes përplasjeve disa- mujore me Turqinë, ku nuk kanë munguar as mjetet luftarake, Athina ka vendosur të ndajë të gjithë kufijtë detarë, duke ia bërë fakt të kryer Shqipërisë zgjerimin e sovranitetit të saj.Edhe pse ky vendim nuk ndikon drejtpërdrejt në mosmarrëveshjen midis Greqisë dhe Turqisë, Mitsotakis paralajmëroi hapur se Athina mund të shtrijë ujërat e saj në drejtime të tjera. Turqia ka paralajmëruar vazhdimisht se një veprim i ngjashëm përgjatë vijës bregdetare të Greqisë është një provokim për luftë. Megjithatë, Mitsotaqis duket se po tregon më shumë guxim politik se paraardhësi i tij, Aleksis Tsipras.

Erdogan ka reaguar pas zhvillimeve të funditt duke e akuzuar Greqinë për “mbjelljen e kaosit” në Mesdhe.“Turqia do të marrë atë që është e drejta e saj në Mesdhe, në Egje dhe në Detin e Zi,” tha të mërkurën Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan. “Ne i ftojmë bashkëbiseduesit tanë të shmangin gabimet që do të çojnë në shkatërrimin e tyre.”Lëvizja e Mitsotakis për shtrirjen e ujërave territoriale erdhi ndërsa parlamenti grek po debatonte për dy marrëveshje mbi kufijtë detarë të arritur së fundmi me Italinë dhe Egjiptin. Kjo e fundit tërboi Ankaranë, e cila e quajti atë “të pavlefshme”, duke pretenduar se zona në fjalë “shtrihet brenda shelfit kontinental turk” dhe gjithashtu shkel të drejtat detare të Libisë.

Të martën, Ministri i Jashtëm gjerman Heiko Maas bëri një vizitë në Athinë dhe Ankara me qëllim të qetësimit të tensioneve. “Situata aktuale në Mesdheun lindor është kthyer në një minë me sahat, çdo shkëndijë e vogël mund të çojë në katastrofë, ”tha Maas pas takimit të tij me Ministrin e Jashtëm Grek Nikos Dendias.“Askush nuk dëshiron ta zgjidhë këtë konflikt ushtarakisht, e cila do të ishte një çmenduri absolute,” tha ai më vonë së bashku me Ministrin e Jashtëm turk Mevlüt Çavuşoğlu.

Interesi për Detin Jon është rritur pasi kompani të mëdha botërore bënë në Jon e parashikuan se në këtë territor ka rezerva të konsiderueshme nafte dhe gazi. Kjo ka bërë që si Turqia ashtu edhe Italia të jenë sy e vesh nga marrëveshja mes Athinës dhe Tiranës.Dy vite më parë, Greqia njoftoi po ashtu zgjerimin me 12 milje detare në të gjithë kufijtë e saj detar, përfshirë edhe Jonin, por u tërhoq pikërisht pas ndërhyrjes së Turqisë. Pa kaluar ende një javë nga deklarata e ish-ministrit Nikos Kotzias, Greqia vendosi të pezullonte aksionin diplomatik për zgjerimin me 12 milje detare të kufirit detar me Shqipërinë dhe Turqinë, pas kërcënimeve të kësaj të fundit.

Tirana zyrtare nuk doli asokohe me një qëndrim zyrtar, por deklaratat e kryediplomatit grek u pritën me “zjarr dhe tërbim” në Ankara. Ministri i Jashtëm turk Mevlut Çaushoglu, deklaroi se çdo veprim i Athinës për zgjerim të vijës së saj bregdetare, në Jon ose Egje, do të përbënte shkak për luftë (Casus Belli).“Ne këshillojmë Greqinë që të qëndrojë larg nga sjelljet që mund të shkaktojnë një përshkallëzim të situatës në Mesdhe. Pretendimet jorealiste të Greqisë do të dëmtojnë marrëdhëniet dypalëshe dhe stabilitetin rajonal”, thuhej në një deklaratë zyrtare të Ministrisë së Jashtme turke. Ankaraja zyrtare paralajmëroi se nuk do të toleronte asnjë akt në detin Egje, për të cilin nuk ka marrëveshje dypalëshe. Çaushoglu iu referua një rezolute të vitit 1995, ku thuhej se çdo veprim i njëanshëm i Greqisë për të shtrirë nga 6 në 12 milje ujërat territoriale, do të shërbente si shkak për luftë. Por kur bie fjala për zgjerimin e sovranitetit në Detin Jon, Greqia e di se nuk do të gjejë një forcë të tillë konfrontuese.(Gazeta “Si”)

101 TË PREKUR NE VEND,3 RASTE TE REJA NË KORÇË

Ka shkuar në 9380 numri i personave të prekur nga kovid -19.Ditën e sotme në vendin tonë jane kryer 803 testime për të dyshuar të prekur me COVID19, nga të cilat janë konfirmuar 101 raste pozitive,te shperndara:51 raste në Tiranë, 10 raste në Lezhë, 5 raste në Kamëz, 4 raste në Shkodër, 3 raste në Krujë, Durrës, Korçë, Kavajë, Gjirokastër, Vorë, 2 raste në Kurbin, Elbasan, Kukës, nga 1 rast në Has, Lushnje, Mirditë, Mat, Vau i Dejës, Gramsh, Shijak.Në vendin tonë janë 3961 pacientë aktive dhe pjesa më e madhe po ndiqet nga mjeku i familjes.Juglindja e vendit tashmë ka 175 persona pozitiv me Covid-19 ndersa sot ka pasur 3 raste te reja ne Korçë.

Dr. Rovena Daja nga Instituti i Shëndetit Publik dha detajet :

Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale ju informon mbi situatën epidemiologjike në vend.
Gjatë 24 orëve të fundit në vendin tonë janë kryer 803 testime për vlerësimin e infektimit nga virusi SARS COV2, dhe 101 persona janë konfirmuar pozitivë me COVID-19.
Shpërndarja gjeografike e rasteve pozitive ditore është si vijon: 51 raste në Tiranë, 10 raste në Lezhë, 5 raste në Kamëz, 4 raste në Shkodër, 3 raste në Krujë, Durrës, Korçë, Kavajë, Gjirokastër, Vorë, 2 raste në Kurbin, Elbasan, Kukës, nga 1 rast në Has, Lushnje, Mirditë, Mat, Vau i Dejës, Gramsh, Shijak.

119 qytetarë janë shëruar në 24 orët e fundit, duke e çuar numrin e të shëruarve në 5139, që nga fillimi i epidemisë. Për të katërtën ditë rradhazi, numri i të shëruarve është më i lartë se i rasteve të reja të konfirmuara me COVID19.Aktualisht në spitalin Infektiv dhe “Shefqet Ndroqi” po trajtohen 178 pacientë të konfirmuar pozitivë me COVID-19, 18 në terapi intensive nga të cilët vetëm 7 pacientë janë të intubuar. Ju informojmë se në dy spitalet COVID janë gjithashtu duke marrë shërbim të specializuar 45 qytetarë të cilët kanë qenë pozitivë me COVID-19 dhe aktualisht janë negativizuar, por po vijojnë të marrin trajtim spitalor për pasojat e sëmundjes.
Pavarësisht përpjekjeve të mjekëve, fatkeqësisht, në dy spitalet COVID, nuk e kanë fituar dot betejën me sëmundjen; një 62 vjeçar nga Gjirokastra, një 66 vjeçar nga Burreli, 72 vjeçar nga Elbasani, një 87 vjeçar dhe një 92 vjeçare nga Tirana. I shprehim ngushëllimet familjarëve.

Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale ju bën apel qytetarëve të mbajnë në konsideratë në çdo moment masat për frenimin e përhapjes së virusit:
Lani shpesh duart dhe mos e prekni fytyrën; Ruani distancën mbi 1.5 metër nga të tjerët në ambientet publike; Vendosni detyrimisht maskën në çdo ambient të mbyllur dhe kudo ku nuk është e mundur mbajtja e distances, vetëm duke respektuar këto rregulla të thjeshta ruajmë veten dhe të tjerët nga infektimi me virusin SARSCOV2.
Nese dyshoni se jeni i prekur ose keni shenja të sëmundjes duhet të qëndroni të izoluar, të kontaktoni menjëherë mjekun e familjes ose të telefononi në numrin e Urgjencës Kombëtare 127. Ministria e Shëndetësisë ka vënë në dispozicion të qytetarëve linjën e gjelbër 0800 40 40 për të kontaktuar për çdo informacion tjetër rreth COVID19.

COVID-19 – Statistika (30 Gusht 2020)
Testime totale 62017
Raste pozitive 9380
Raste të shëruara 5139
Raste Aktive 3961
Humbje jete 280 (Qarku Tiranë 132, Durrës 39, Shkodër 36, Elbasan 15, Fier 13, Korçë 12, Lezhë 10, Kukës 6, Vlorë 6, Dibër 5, Gjirokastër 4, Berat 2)

Shpërndarja gjeografike e rasteve aktive sipas qarqeve:
Tiranë 2062
Durrës 527
Shkodër 283
Fier 140
Lezhë 195
Korçë 175
Vlorë 125
Kukës 135
Elbasan 154
Berat 77
Gjirokastër 36
Dibër 52

Bebe Rexha feston ditëlindjen e 31-të

Artistja shqiptare me fame botërore, Bebe Rexha, ditën e sotme (e diel) feston ditëlindjen e 31-të.Këngëtarja, e cila ka filluar karrierën në moshë të re, por vazhdon të mbetet ndër emrat më me ndikim në skenën ndërkombëtare të muzikës si një emër shumë i pëlqyer dhe i kërkuar gjithandej botës.Ndonëse këtë vit këngëtarja nuk ka qenë shumë aktive në skenën muzikore, ajo ka qenë vazhdimisht në vëmendjen e fansave duke qenë tejet aktive në rrjete sociale.

Bebe Rexha, emri i vërtetë i së cilës është Bleta Rexha, është lindur e rritur në Shtetet e Bashkuara të Amerikës nga dy prindër shqiptarë.Babai i saj, Flamur Rexha, është me prejardhje nga Dibra e Maqedonisë së Veriut, kurse nëna e saj vjen nga Gostivari.

Famën më të madhe e arriti si kompozitore e “The Monster” të interpretuar nga Rihanna dhe Eminem, që më pas i hapën rrugë të madhe drejt një karriere të bujshme në tregun ndërkombëtar.

Ndër këngët më të njohura të saj, janë: “Meant to Be”, “I Got You”, “Say my my name”, “In the Name of Love”, “I’m a mess”, “Me, Myself & I”, “The Way I Are”, “I’m Gonna Show You Crazy”, “Last Hurrah”, “Harder”, “You Can’t Stop the Girl”, “Not 20 Anymore”.

Bebe poashtu ka qenë pjesë e evenimenteve të mëdha të muzikës dhe ka rrëmbyer çmime të shumta.

Kápet me familjen afgane në makinë 52-vjeçari korçar,Ja sa euro do t’i merrte për person

Një 52-vjeçar nga Korça është vënë në pranga pasi është konstatuar nga patrulla e policisë në aksin rrugor Librazhd-Elbasan duke transportuar në mënyrë të paligjshme drejt Kosovës një familje nga afgane prej 5 anëtarësh..Sipas policisë, shtetasi me iniciale F.K u kap në rrugën Librazhd-Elbasan, ndërsa klandestinët do t’i transportonte për në Kosovë kundrejt fitimit 200 € për person.

Njoftimi i policisë :

Goditet një tjetër rast në fushën e dhënies së ndihmës për kalim të paligjshëm të kufirit kundrejt fitimit shtetasve të huaj nga vendet e treta.Specialistët për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme në DVP Elbasan, në vijim të goditjeve të njëpasnjëshme të veprimtarisë kriminale në fushën e dhënies ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit shtetasve nga vendet e treta të cilët hyjnë në vendin tonë ilegalisht nëpërmjet kufirit me shtetin grek, gjatë orëve të vona të natës kanë evidetuar dhe goditur një tjetër rast.

Në aksin rrugor Librazhd-Elbasan, shërbimet e Policisë kapën në flagrancë shtetasin F.K., 52 vjeç, banues në Korçë, i cili transportonte një familje me 5 pjestarë nga Afganistani , të cilët i kishte marrë në Korçë dhe po i transportonte në drejtim të kufirit të Kosovës, kundrejtë fitimit 200 € për person.

Në përfundim të veprimeve u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit F.K, për veprën penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufirit, kundrejt fitimit dhe materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Elbasan, për veprime të metejshme.

Artan Fuga: Grekët janë të dashur, miqësorë, të bukur dhe s’duhet t’i sulmojmë, ne jemi si minjtë e mbledhur rreth Lanës

Debatit për çështjen e hapësirave ujore me Greqinë, i është bashkuar edhe Artan Fuga. Ai i ka kërkuar politikës të ndërpresë menjëherë sulmet ndaj Greqisë.Ndër të tjera Fuga argumenton edhe situatën duke dhënë edhe një alternativë e cila sipas tij është zgjidhja e çështjes.

Menjëherë pas kryeministri grek bëri lajmërimin në Parlamentin e shtetit fqinj se Greqia do ta çojë hapësirën e vet ujore në 12 milje, te nisën debatet shpesh të hidhura, por edhe në formën e frazave goditëse të ndërsjella nga të cilat qytetari qendron i hutuar, i habitur, dhe nuk kupton asgjë!Ka edhe nga ata zemërgjerë, hyjnorë, ëngjëllorë që nuk mungojnë të shkruajnë në media duke u tallur me shqetësimin qytetar, për ta quajtur këtë thjesht një alarm i kotë, me qëllime politike ose për t’u evidentuar. Megjithatë problemi mbetet në rend të ditës dhe shumë serioz.

Pikëpyetjet shumë të mëdha, kurioziteti po ashtu, shqetësimi atdhetar dhe pragmatik është për t’u përgëzuar. Sigurisht unë nuk jam asapk specialist i gjeopolitikës as i hartave dhe as edhe i teknologjive GPS, për të hyrë në detajet e çështjes apo në klauzolat e konventave ndërkombëtare. Megjithëse si cdo qenie racionale, homo sapiens, jam në gjendje t’i kuptoj edhe shpje gimet e specialistëve për konventat edhe hartat e paraqitura. Mirëpo, para se të jetë një çështje teknike, kemi një çështje politike mes dy vendeve, një çështje diplomatike dhe një çështje komunikimi ndërkombëtar.

Imagjinoj në ëndërr sikur nga pesëdhjetë a gjashtëdhjetë deputetë nga ata të listave që janë në Kuvendin e Shqipërisë, të ngriheshin në këmbë dhe të duartorkisnin një fjalim patetik rreth sloganit : Shqipëria po rritet! Do t’u kisha hequr kapelen dhe do të kisha lënë lotë të më rridhnin në faqe. Dhe nëse Kosova, Maqedonia e Veriut, Italia, Greqia, do të dridheshin nga frika nga ato çaste solemne, ndonjeri nga deputetët do të sqaronte: Mos kini frikë fqinjë të dashur sepse Shqipëria do të rritet vertikalisht, pa u cënuar juve asnjë centimetër të territorit. Do të çpojë më thellë galeritë e minierave nëntokë si edhe do të lëshojë një sondë në galaktikat e ariut të murmë, për të vendosur në yjet e atjeshëm sonda observimi të hapësirës!

Pasi u zgjova nga kjo ëndërr, mendova me një lloj simpatie për fjalimin e z. Kryeministër të vendit fqinj kur e pashë dhe dëgjova te shprehej solmenisht nën duartrokitjet e deputetëve të krahut të tij, se Greqia po rritet, dhe se kjo është realizimi i projekteve sikurse e kuptova të një lloj të kaluare që m’u duk sikur simbolizonte traditën! Një shtet dhe një komb që kërkon të rritet dhe të zmadhohet horizontalisht apo vertikalisht dëshmon që ka nevojë për këtë, një lloj lebensbraum, si edhe ka energji dhe forca për ta realizuar. Kombe të tilla nga energjia që kanë janë për t’u marrë shembull.

Se çfarë lidhje ka kjo gjë pastaj me konfliktin Greqi – Turqi për platformat e naftës në det, me dobësimin e kontrollit të BE ndaj politikës të jashtme të Greqisë, me një lloj gjeopolitiuke ballkanike ku një sërë vendesh, si ne, kemi status inferior me Greqinë përsa i përket integrimit europian, me politikat e sotme amerikane, me krizën në Biellorusi dhe ndërmjetësimin e OSBE atje, apo me nuk e di se çfarë tjetër, duke vazhduar ta zemë me krizat e familjes mbretërore britanike, etj., kjo është tjetër gjë.

Unë mendoj që politika jonë nuk ka asnjë arsye as se përse zemërohet me shtetin tonë të dashur fqinj të Jugut, por as edhe nuk ka përse deklaron se kjo “rritje” nuk prek Shqipërinë, interesat e saj, prandaj nuk ka përse të shqetësohemi. Sigurisht ka të drejtë të shqetësohet opinioni publik, shyqyr thuaj, ka të drejtë të shqetësohet opozita, ka të drejtë të shqetësohet Presidenti i republikës, madje edhe Gjykata Kushtetuese t’i ngrejë veshët përpjetë. Pa paragjykime, pa stereotipime, por me analiza, informacione dhe shqyrtime të hollësishme dhe shumë të matura.

Ne nuk mund të themi, hajde flemë gjumë sepse interesat e Shqipërisë nuk preken!!! Nëse nuk ka një marrëveshje, nuk ka një sqarim të hollësishëm diplomatik sepse pritet të vijë ministri i jashtëm grek të sqarojë shtetin tonë, ku e dimë ne se ka apo nuk ka probleme për Shqipërinë? Edhe nuk dimë gjë, por edhe e dimë që nuk ka asnjë problem!!! Kjo është një kontradiktë e rëndësishme në arsyetimin llogjik.

Greqia dhe Shqipëria janë dy shtete që nuk kanë asnjë arësye që të mos i zgjidhin në interes të përbashkët çështjet e tyre. Unë nuk dua të mendoj që ndryshimi drastik i ambasadores dhe i stafit të ambasadës të Shqipërisë në Athinë, si edhe kriza e emigrantëve në kufi, të mos kenë asnjë lidhje me “rritjen” e Greqisë. Por, gjithçka bën vaki në këto kohë të turbullta dhe të pista me Covid19 në botën që jetojmë!Kryeministri grek i kërkoi ministrit të vet të jashtëm që për vendimin e marrë për “rritjen” e Greqisë, të njoftojë shtetet fqinje si Italinë dhe Shqipërinë! Vendimmarrje krejt zeusiane! E fortë, e vendosur!!! Por, duhet të jemi të qartë dhe mos fshehim hënën pas gishtit! Nuk u konsultua njëherë me Italinë dhe Shqipërinë, por fillimisht deklaroi solemnisht “rritjen” e shtetit të vet, dhe pastaj me një lloj vendosmërie neglizhuese kërkoi të njoftoheshin fqinjët për vendimin e marrë!

Pra, ai e di shumë mirë se çdo rritje, edhe nëse është në det dhe nuk prek territore të tjera, është një ndryshim raporti forcash midis një shteti dhe fqinjëve të tij. I madhi i gjeopolitikës në filozofi Rajmond Aron theksonte se pushteti nuk është një vlerë absolute, por një vlerë relative, pra ka kuptim sesa më i fuqishëm bëhesh ti me një veprim ose mosveprim në krahasim dhe mbi të tjerët me të cilët je në marrëdhënie.Nisur këtej edhe sikur fare të mos cënohen interesat detare të Shqipërisë, fakti që vendi fqinj mik, Greqia e bukur, shteti i një kombi mik dhe mikpritës i shqiptarëve “rritet”, Shqipëria ka nevojë të reflektojë, të arsyetojë, të masë, të shqetësohet për mirë a keq, dhe jo të thotë “nuk ka problem”. “Rritja” e komshiut sigurisht është dobësimi yt, por pastaj tjetër është sesi krijohen aleancat dhe energjitë më pas.

Unë nuk e di nëse politikanët tanë dhe sidomos qeveritarët e dinë teorinë e shkollës realiste të gjeopolitikës, të themeluar nga Lakostë. Nëse u duhet edhe teoritë e Aronit, Lakostës, etj., mund t’i qëmtojmë me kujdes! Por shkolla realiste e gjeopolitikës ka argumentuar se gjeografia është një një shkencë për të bërë luftë! Nuk ka nevojë të alarmohemi.
Greqia dhe Shqipëria nuk kanë asnjë arsësye për t’u acaruar sepse janë shtete të dy popujve miq që jetojnë pranë e pranë prej shekujsh të tërë. Por, nëse Greqia do të “rritet”, sigurisht nuk është sepse Uliksi do të bëjë shëtitje me varkë nëpër detin Jon duke mos gjetur dot rrugën e kthimit në Itakë!

Sigurisht që shteti fqinj ka interesa ekonomike, financiare, ushtarake, turistike, etj. Nga kjo pikëpamje ne e kemi për detyrë si shtet i Natos si vetë Greqia të dimë çfarë raporti i ri vendoset mes nesh dhe Greqisë në planin e strategjisë të mbrojtjes dhe të sigurimit të rrugëve të kalimit në detin Jon, me rëndësi mesdhetare dhe botërore. Kjo sigurisht nuk është vetëm çështja jonë sepse interesat e vendeve të Aleancës të Atlantikut të Veriut janë gjithashtu aktive dhe në lojë.

Në fjalën e zotit kryeministër grek në Parlament pati edhe nota nostalgjie sepse deklarimi i tij sigurisht bën pjesë në një ëndërr kombëtare. Të gjithë popujt e Ballkanit, mirë a keq, me delir, a me realizëm, me miqësi, a me dhunë, ushqejnë të njejtën ëndërr të “rriten”. Por, nuk ka zbuluar kot psikanaliza që kalimi në realitet nis me censurimin e ëndërrave kur ato sidomos krijojnë neuroza të ndryshme. Edhe ne si popull në të kaluarën kemi ëndërrime të rritjes, ndofta jo në dete, por në tokë patjetër. Sepse ne e kemi harruar detin dhe nuk kemi aq lundërtarë që nga Teuta e këtej. Por, ëndërr rritjeje kemi pasur dhe kemi.

Imagjinoj një grup deputetësh nga këta të komisionit të edukimit dhe medias që në këmbë ngrihen në Komision dhe njeri prej tyre deklaron:Njoftoni Kosovën, Maqedoninë e Veriut dhe Malin e Zi se ne do të “rritemi”! Sigurisht komshinjtë tanë grekë, italianë, kombe të zgjuar dhe me humor, do të mbanin barkun me dorë nga të qeshurat!
Prandaj ajo “ëndërra e rritjes” e detyron politikën shqiptare të jetë e kujdeshme dhe ta analizojë mirë semantikën e retorikës politike, duke hequr dorë nga një lloj sigurie e shtirur sikur i ka të gjitha krizat e botës në dorë! Mos harrojmë se jemi një komb e shtet i vogël, mikroskopik në popullsi dhe territor, sado i lavdishëm dhe heroik në tradita!
Ka vend që politika qeveritare të dijë edhe të vërtetat e mëdha që ka përpunuar Fridrih Ratzel i shkollës romantike gjermane të gjeopolitikës. Sado i përdorur keq që teoritë e tij kanë qenë.

E them këtë sepse brenda konceptit të tij mbi shtetin si një sistem organicist, shteti i ngjan një peme që për t’u rritur lart i duhet që rrënjët të hapen sa më shumë horizontalisht.
Pra nuk ka kuptim që sikurse është bërë këto ditë, çështja e “rritjes” të Greqisë mike të shihet në mënyrë abstrakte, numerikisht, jo 6 po 8, jo 8 po 12 milje!!! Ratzel thekson se çështja kufitare është një çështje që nuk lidhet thjesht me hapësirën sikur të kemi në hartë figura gjeometrike trekëndësha apo elipsoidë. Një majë mali shpesh vlen sa mijra metra në tokë fushë, një grykë vlen sa mijra kilometra, kujto Torviollin Termopilen, etj., në imagjinatën e popujve tanë, një ngushticë vlen sa mijra dallgë me shkumë deti, një minierë vlen sa pesë krahina. Pra, relievi dhe territori janë realitete konkrete dhe aspak thjesht figura gjeometrike.

Prandaj, mbi gjithçka nuk duhet thënë “s’ka problem”, janë norma konventash ndërkombëtare sepse nuk janë gjeometri, janë gjeopolitikë. Nëse politika qeveritare nuk e kupton këtë do të bënte gabim!
E në fund, sa keq më vjen që ne nuk shpallim dot programe rritjeje në det!!! Sepse suprina e detit te ne është bosh! Peshkimi, turizmi detar në anije, kërkimi i naftës, flota detare, transporti detar, janë braktisur ose asnjëherë menduar si projekte madhështore.

Ne rritemi në Lanë!!! Sepse ne nuk ja dimë vlerat territorit! Por kjo është një çështje që kërkon shqyrtime të tjera dhe që unë personalisht modestisht i kam paraqitur në botimin tim, nga Papirus, “Origjinat e Pushtetit, Pronës, Pasurisë në Shqipërinë pastotalitare” ku argumentoj që ne jo vetëm jemi shtyrë nga fqinjët dhe nga perandoritë në breg të deteve, gati sa nuk na kanë hedhur në det, në kënetë, por edhe atë rryp toke që na ka mbetur, ne e braktisim duke e lënë bosh, e mbledhur si minjtë rreth Lane. Por edhe kjo do biseda të gjate në netë dimri ku brenda ka zjarr në vatër dhe jashtë Covid”, thotë Fuga.

Plotësimi i kuotës në Kapshticë, Policia Kufitare: Nuk ka më kalime, mos u nisni drejt kësaj pike

Pas situatës së krijuar në Kapshticë ku pala greke ka pezulluar punën në kufij, ka reaguar Drejtoria Vendore e Kufirit dhe Migracionit Korçë.Ata njoftojnë se kuota prej 300 kalimesh është plotësuar ndaj nuk do të lejohen më kalimet gjatë ditës së sotme.Ndërkohë Policia Kufitare u bën thirrje qytetarëve që të mos nisen drejt kësaj pike për ditën e sotme pasi kështu do të krijohet një ngërç i madh.

Stacioni i Policisë Kufitare Kapshticë:

Njoftojmë të gjithë qytetarët që janë të interesuar të kalojnë në drejtim të shtetit grek, se aktualisht kuota prej 300 shtetas është plotësuar dhe nga ana e policisë greke është pezulluar puna e nuk do të lejohet kalimi i personave të tjerë për ditën e sotme.

Policia Kufitare apelon për qytetarët që duan të udhëtojnë në drejtim të Greqisë, që të mos vijojnë udhëtimin në drejtim të PKK Kapshticë për ditën e sotme.

Ju faleminderit për mirëkuptimin!