Nuk ka surpriza në javën e fundit të Kategorisë Superiore. Skënderbeu bëri detyrën në Shkodër ndaj një Vllaznie të mbushur me djem të rinj dhe mbylli sezonin e rregullt në Final 4, duke iu bashkuar pikërisht shkodranëve, Partizanit dhe Egnatias, teksa të katër skuadrat do të duelojnë për titullin kampion.
Korçarët triumfuan me rezultatin 1-5 në “Loro Boriçi”,
aty ku Brdariç vendosi të paraqitet me futbollistët që kanë marrë më pak minuta, apo të rinj të akademisë, pasi humbja i siguronte Vllaznisë edhe pjesëmarrjen në Kupat e Europës.
Nga ana tjetër Tirana triumfoi sërish në Rrogozhinë, këtë herë me shifrat 0-3, por ky rezultat nuk mjaftoi që të bëhen pjesë e Final 4 për titullin kampion, teksa bardheblutë mbyllin sezonin në vendin e pestë.

