Acarohet Erdogan: Na ka ardhur në majë të hundës kjo lojë, Greqinë po e përdorin si karrem kundër Turqisë

Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan i kritikoi disa vende të tjera, për të cilat tha se po e përdorin Greqinë si karrem kundër Turqisë në Mesdheun Lindor ndërsa i përshkroi përpjekjet e tyre për të përfituar prej burimeve natyrore të zonës si shembull i “kolonializmit modern”.“Turqisë i ka ardhur në majë të hundës kjo lojë hijesh. Interesante sesi vende të tjera e përdorin Greqinë, ndërsa vetë nuk luftojnë dot hapur dhe e kanë kthyer atë në karrem kundër një fuqie rajonale si Turqia”, deklaroi kreu i shtetit turk.

Qeveria turke i hedh poshtë pretendimet e Athinës për të drejta eksluzive, duke argumentuar se ishujt nuk duhet të përfshihen në përllogaritjen e kufijve detare mes vendeve.Ankaraja e akuzon se po mban një pozicion “maksimalist”, pasi i meshon idese se ishulli i vogël i Kastellorizos, që ndodhet 520 km larg tokës greke dhe vetëm 2 km larg brigjeve turke, duhet të kenë një shelf kontinental prej 40.000 kilometrash katrorë, që është pothuajse sa gjysma gjirit turk të Antalias.


Teksa foli për të ardhmen u kthye mbrapa në kohë:“Gushti është muaji i fitoreve. Kemi marrë shumë fitore për më shumë se 400 vjet. Në gusht fituam betejën e Mallazgirtit, pushtuam Beogradin dhe u zgjeruam në Perëndim.Bëmë edhe Qipron pjesë të tokave tona. Edhe përpjekjet tona për të mbrojtur kufijtë në jug dhe në det i nisëm në muajin gusht. Asnjë fitore në historinë tonë nuk është alternativë e tjetrës. Por e kundërta. Çdo fitore paralajmëron tjetrën”.

Për këtë është i gatshëm edhe për përballje ushtarake:“Armiqve tanë iu themi ja tek është sheshi. Ashtu siç shpirti është i lidhur me trupit edhe njerëzit dhe ushtarët janë të lidhur me këtë tokë, derisa të mbetet kufoma e fundit në këtë territor. Ne nuk heqim dorë nga kjo përpjekje. Për këtë arsye nuk hezitojmë fare që të japim dëshmorë”.

Për t’u bërë pjesë e grupit "KorcaBlog.com" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë.