Krijimi i ‘partive të reja’/ Sonila Meço: Si tendera me fitues të paracaktuar

Në media qarkullojnë lajme sipas të cilave, ish-eksponentë të lartë të Partisë Demokratike janë gati të themelojnë partitë e tyre, gazetarja Sonila Meço, përmes një postimi në rrjetet sociale, shprehet se, të bësh diçka të tillë 5 muaj para dates së zgjedhjeve është njësoj si të hapësh garën për tender, me rregulla të përcaktuara

Ja çfarë shkruan gazetarja Sonila Meço:


Në debatin e ditës flitet për parime si p.sh e drejta për të garuar në zgjedhje, e drejta për t’u zgjedhur, e drejta për të krijuar parti politike edhe 3 muaj para zgjedhjeve, e drejta për të provuar veten në garë politike pa u paragjykuar për qëllimet…dhe jam plotësisht dakord me parimet. Plotësisht. Demokracia, liria e zgjedhjes, e drejta, konkurenca, barazia përpara ligjit janë pilastra, që mbajnë shoqërinë.

Por (dhe ka një Por të madh), që kush e anashkalon i shndëron pa a me dashje parimet e mësipërme në letër higjenike:

Në vendin ku vota blihet e shitet, dokumentohet krimi e nuk ndëshkohet askush, aty ku drejtësia ka dështuar në reformë e zbatim, aty ku balanca e pushteteve dergjet, aty ku gara e kërkuar me ligj, me kushtetutë nuk respektohet nga vendim-marrësi dhe askush nuk dënohet, të flasësh për shprehje demokracie se dhjetra parti formohen 5 muaj para zgjedhjeve është as më shumë e as më pak se të hapësh garën për tender, me rregulla të përcaktuara, ndërtuara e ndryshuara në mënyrë arbitrare për një pretendent dhe të fusësh kompani të krijuara dy javë para garës për ta legjitimuar….sado cilësore kompanitë e reja dhe drejtuesit e tyre.

Pra nëse i gëzohemi shprehjes së demokracisë në një anë, mos harrojmë assesi se nuk jemi në demokraci, as në teori e as në praktikë’.

Për t’u bërë pjesë e grupit "KorcaBlog.com" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë.