Situata në pikën kufitare të Kakavijës është tepër e qetë, pasi mesa duket emigrantët shqiptarë kanë vendosur që të mos kthehen në vendlindje për pushime. Ndryshe nga çdo vit tjetër edhe pse jemi në prag festash, numrat e emigrantëve që kthehen tek familjarët e tyre janë të ulëta.Gjatë 24 orëve të fundit në doganën e Kakavijës, kanë hyrë vetëm 760 emigrantë, ndërkohë që 424 të tjerë janë larguar drejt Greqisë.
Ndërkohë krejt ndryshe vërehet situata në Durrës, ku ka dyndje të emigrantëve shqiptarë në Itali që kthehen në atdhe për festa. Porti i Durrësit ka shënuar një fluks të shtuar të udhëtarëve nga Italia, duke pritur çdo ditë 3 tragete të linjave Bari-Durrës dhe Ankona-Durrës. Mësohet se vetëm në një ditë në vendin tonë hyjnë të paktën 4000 udhëtarë, ndërsa dogana punon me kapacitet të plotë, me 20 sportele.
Situata nuk duket e qetë as në aeroportin “Nënë Teresa”, i cili gjithashtu është i dyndur në emigrantë që vijnë nga gjithë bota.
