Komiteti Teknik i Ekspertëve, dha vendimin se pas datës 24 dhjetor do të mbyllemi që në orën 20:30. Ilir Dushkaj, përfaqësues i Shoqatës së Bareve dhe Restoranteve, thotë se vendimi është një thikë e ngulur më thellë, por shtoi se ata do të zbatojnë ligjin dhe vendimin e qeverisë.
Nga ana tjetër, ai kërkoi që bizneset të kompensohet për orët e mbrëmjes kur është vendosur mbyllja, ndërsa theksoi se ato janë pikërisht oraret kur këto subjekte kanë edhe pjesën më të madhe të klientëve.
“Do ishte një zgjidhje nëse shteti do të na kompensonte, sa më shumë zvogëlohen oraret aq më shumë do ulen orët e punës, aq më shumë do ulet pagesa. Qeveria duhet të kompensojë orët kur duhet të mbyllemi, duhet të kompensojë pjesën e qirasë, pagave apo sigurimeve për punonjësit. Deri tani jemi munduar të gjejmë një zgjidhje, por kjo do të thotë një reduktim i orës së punës dhe pagës, që duhet të plotësohet me një mbështetje nga qeveria”, tha Dushkaj.

