Shqipëria ka nënshkruar marrëveshjen me një kompani turke për të marrë vaksinën anti-COVID të prodhuar në Kinë.Kjo marrëveshje vjen pasi Kuvendi votoi me 94 vota pro që qeveria të bëjë marrëveshje me Rusinë dhe Kinën për vaksinat anti-COVID.
Mësohet se qeveria shqiptare ka nënshkruar marrëveshjen me distributorin turk “Keymen Ilaç Sanayi ve ticaret” A.Ş., nëpërmjet të cilës do të sigurojë vaksinat e prodhuara në Kinë.
Tashmë, Shqipëria do të përdorë 4 vaksina të ndryshme për të luftuar virusin, pasi Pfizer-it, AstraZeneca-s dhe “Sputnik V”, do t’i shtohet edhe Sinovac.

E plotë: 1. Miratimin e tekstit të marrëveshjes ndërmjet, Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, ministrit të Shtetit për Rindërtimin dhe Institutit të Shëndetit Publik dhe distributorit të autorizuar “Keymen Ilaç Sanayi ve ticaret” A.Ş., për furnizimin e Republikës së Shqipërisë me vaksinën e inaktivizuar kundër COVID-19 (Vero Cell) Coronavac, të krijuar nga Sinovac Life Science Co Ltd. dhe të prodhuar në Republikën Popullore të Kinës, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij akti normativ. 2. Marrëveshja për furnizimin ndërmjet Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, ministrit të Shtetit për Rindërtimin dhe Institutit të Shëndetit Publik dhe “Keymen Ilaç Sanayi ve ticaret” A.Ş., për shkak të sekretit tregtar dhe kërkesës së shprehur në marrëveshje nga “Keymen Ilaç Sanayi ve ticaret”, nuk do të publikohet në asnjë website të institucioneve apo në Fletoren Zyrtare. 3. Të gjitha institucionet e përfshira në dhënien e mendimit, të miratimit apo që janë pjesë e procesit kanë detyrimin të mos bëjnë publike marrëveshjen bashkëlidhur këtij akti normativ apo pjesë të saj. 4. Detyrimet e organeve shtetërore dhe përjashtimet nga detyrimet për furnizimin e vaksinës anticovid, të përcaktuara në aktin normativ nr. 1, datë 10.1.2021, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, janë të njëjta edhe për furnizimin e vaksinës së inaktivizuar kundër COVID-19 (Vero Cell), Coronavac të krijuar nga Sinovac Life Science Co Ltd. dhe të prodhuar në Republikën Popullore të Kinës, të furnizuar për Shqipërinë nga Keymen Ilaç Sanayi ve ticaret A.Ş., sipas kushteve të tekstit të marrëveshjes bashkëlidhur këtij akti normativ.


