Çfarë na mësuan këto zgjedhje? Një popull që ka të përmbushura nevojat minimale fillon dhe mendon….

Një popull që ka të përmbushura nevojat minimale fillon dhe mendon. Të mendosh do të thotë të kuptosh e më pas të krijosh e të kërkosh. Të kërkosh! Kjo është e rrezikshme!

Një popull që nuk ka nevoja minimale është dinjitoz dhe vendos denjësisht për ato zgjedhje që kontribuojnë në më të mirën e tij, dhe së të ardhmes së tij dhe pasardhësve së tij. Kjo është e rrezikshme!


Një popull që nuk ka nevoja minimale rri dhe lufton në vendin e tij, jeton një jetë ku sfida është përmirësimi i jetesës dhe ambicieve të tij. Është më e lehtë kur boshatiset dhe ikën pjesa më aktive e shoqërisë. Kjo pjesë aktive është rrezik!

Një popull që nuk ka nevoja minimale bëhet i bezdisshëm, mezi nënshtrohet. Kjo është e rrezikshme dhe e bezdisshme në pergjithësi!

Një popull që nuk ka nevoja minimale është një popull i lumtur. Kjo lumturi do sillte shumë buzëqeshje dhe bashkim midis njëri tjetrit dhe kjo është e rrezikshme. Lojërat nuk kanë kuptim pa përcarje!

Një popull që nuk ka nevoja minimale nuk detyrohet të bëjë krime për arsye banale apo nga mllefi që i ka zënë sytë se nuk ka c´humb. Kjo është e rrezikshme! Krimet banale duhen për të mbuluar krimet e vërteta.

Një popull që nuk ka nevoja minimale nuk serviloset dhe as nuk shitet aq lehtë dhe lirë. Kjo është e rrezikshme! Po nuk u shite nuk kanë kë të blejnë. Ne jemi një popull i varfër, i lënë qëllimisht ashtu dhe e kuptoj mirë Pse-në. Kush do duartrokiste me zell për fitoren e kush do pikëllohej për humbjen duke parë idhujt e tyre sikur ka zbritur Zoti në tokë edhe pse e dinë shumë mirë që e ardhmja do ishte ekzaktësisht si ka qenë edhe nëse do kishte rrotacion. Në një moment mu duk sikur po përjetoja clirimin e Shqipërisë nga armiku turk dhe mrekullirat po na presin.

Prandaj Zonja e Zotërinj, duhet shesh të bëhet përshesh.

Tashmë e di! Varfëria qenka burimi i cdo ligësie, poshtërimi dhe shkatërrimi. Tashmë e di pse duhet domosdoshmërisht të ngelemi të varfër. Urime Shqipëria e militantëve të zjarrtë dhe e turmave të bindura. Faleminderit që e bëni të ardhmen të duket më e largët!

P.S: Përpiquni të fshihni sekretet e vogla se ato të mëdhatë i mbulon dyshimi publik!

Leave a Reply

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.