Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha. Ka deklaruar se nuk do t’i njohë zgjedhjet e 25 prillit, ndaj PD ditën e dielë do të hedhë hapin e parë për t’iu përmbajtur deklaratës së kryedemokratit.Mediat bëjnë me dije se PD do të dorëzojë në Komisionin e Ankimimeve dhe Sanksioneve kërkesën për rivotim në 9 qarqe të vendit, duke njohur rezultatin vetëm në qarqet e Dibrës, Lezhës dhe Shkodrës.
Dosja me provat ku bazohet ky ankimim do të dorëzohet të dielën nga ekspertët ligjorë të PD-së.
Për 9 qarqet: Kukës, Durrës, Tiranë, Elbasan, Fier, Berat, Gjirokastër, Korçë dhe Vlorë, PD kërkon që të ketë rivotim.
Sipas fakteve dhe provave që kandidatët e PD-së, numëruesit dhe vëzhguesit kanë mbledhur në terren mbi parregullsitë, mazhoranca ka përdorur burimet shtetërore për të manipuluar rezultatin e 25 prillit.
Kërkesa e PD-së nuk bën fjalë për hapje të kutive apo rinumërim të votave, po shpallje të pavlefshme të rezultatit për të 9 këto qarqe pasi sipas tyre provohet se procesi zgjedhor nuk ka qenë i drejt dhe vullneti është deformuar.
Ndër provat që PD do të paraqesë para KAS janë punësimet e fundit në administratë në tre muajt e fundit, dyfishimi i ndihmës ekonomike apo përdorimi i aseteve shtetërore në zgjedhje si dhe fakte të tjera si dhënia e dëmshpërblimeve për tërmetin 26 nëntorit të dhënë javën e fundit para zgjedhjeve.
Ankimimi i PD në KAS do të bëjë automatikisht që KQZ të shtyjë me të paktën 20 ditë shpalljen e rezultatit përfundimtar të rezultatit për zgjedhjet e 25 prillit.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në rezultatin paraprak për 25 prillit i jep Partisë Socialiste 74 mandate, PD 59 mandate, LSI 4 mandate dhe PSD 3 mandate.
