Katër pronarë biznesesh në Korçë dhe Pogradec janë vënë nën hetim nga policia pasi akuzohen se nuk lëshonin kupon tatimor klientët e tyre.
Njoftimi i Policise :

Strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Korçë, konkretisht specialistët për Hetimin e Krimit Ekonomik-Financiar dhe shërbimet e Komisariatit të Policisë Pogradec, në vijim të punës për evidentimin, parandalimin e goditjen e informalitetit dhe krimeve mjedisore, kanë ushtruar kontrolle të vazhdueshme, me qëllim vënien përpara përgjegjësisë të shkelësve të ligjit. Nga strukturat e mësipërme, u referuan materialet hetimore pranë Prokurorive, për veprën penale “Fshehja e të ardhurave” për shtetasit A. M., 63 vjeç, A. Sh., 49 vjeç, E. M., 34 vjeç dhe D. B., 20 vjeç, banues në Korçë dhe Pogradec, pasi këta shtetas në bizneset e tyre (bar-kafe, fast-food, piceri) në qytetet e Korçës dhe Pogradecit, ushtronin aktivitetin tregtar, pa lëshuar kuponin tatimor.
Materialet i kaluan Prokurorive të Rretheve Gjyqësore Korçë e Pogradec për veprime të mëtejshme.
