Zyrtare-Teuta është kampione e Superiores! Bregu i jep titullin, Vllaznia është fituesi i dytë moral

Plot 27 vjet më pas, “mbretëresha” ngjitet sërish në fron. Teuta e Durrësit është kampione e Shqipërisë për herë të dytë në histori, por për herë të parë në foto-finish. Pas 1994-ës të largët, “djemtë e detit” ia dolën të ngjiten në majën më të lartë të futbollit shqiptar, në një sezon të luftuar deri në fund dhe që u vendos vetëm nga diferenca e golave.

Në një duel mes katër ekipeve deri në javën e fundit edhe pse dy prej tyre vetëm matematikisht, Teuta arriti t’i rezistojë presionit të tabelës. Një sukses i Martinit në stol, që në vitin më të rëndësishëm të karrierës së tij u detyrua të luftojë dhe kundër zemrës dhe Vllaznisë.


Një sukses padyshim i Dejvi Bregut, blerjes më të rëndësishme të verës së shkuar, që me golat dhe “Këpucën e Artë” përligji investimin duke hyrë përfundimisht në historinë e këtij klubi. Triumfi i dinastisë Vila, me Emiljanon dhe Lorencon, por dhe merita e një mbrojtjeje “dryn” falë Rustem Hoxhës dhe Renato Arapit.

Në një prej sezoneve më të luftuar në historinë e Superiores, Teuta ja doli, të rikthehet në fron, të fitojë Superioren dhe të rrëmbejë në fund titullin e kampionatit, që ashtu si 27 vjet më parë, u fitua javë pas jave, duke mos u dorëzuar asnjëherë deri në fund, për suksesin në fotofinish. Teuta nga tani e mbrapa do të njihet dhe njëherë si “mbretëresha” e Shqipërisë.

Ndërkohë në krahun tjetër Vllaznia ka bërë detyrën duke mposhtur Laçin me shifrat 2-0, por një golavarazh i tillë është i pamjaftueshëm për ti marrë kreun ekipit të Martinit, pavarësisht pikëve të barabarta. Për më tepër përballë ka pasur një skuadër si ajo e kurbinasve, së cilës nuk ëshë aspak e lehtë t’i shënosh. Gjithsesi me paraqitjet e shkëlqyera të bëra këtë sezon, Vllaznia është fitues moral në këtë kampionat, ku nga një ekip që luftonte për mbijetesë përfundon në pikë të barabarta me vendin e parë.

Leave a Reply

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.