Gjykata e Posaçme Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit ka dënuar me 1 vit burg ish-kryetaren e Bashksisë së Gjirokastrës Zamira Rami, dënim i cili do të shlyhet duke kryer punë me interes publik.Rami është gjetur fajtore për akuzën e shpërdorimit të detyrës, pas denoncimit të bërë nga dy qytetarë për prishjen e banesave të tyre, në kuadër të projektit të rilindjes urbane.
AKUZA E SPAK
SPAK e akuzoi ish-kryetaren e Bashkisë Gjirokaster se në kundërshtim me ligjin, ka kryer veprime që kanë sjellë prishjen e dy pronave private gjatë realizimit të dy projekteve, një prej të cilave në kuadër të Rilindjes Urbane“.Sipas SPAK, shkeljet janë kryer gjatë zbatimit të projektit për ‘Rikonstruksionin e rrugës Kryqëzim me rrugën nacionale (Postbllok) – Sheshi i Çerçizit’ si dhe për ‘Rikualifikimin e hapësirave publike dhe rrugës hyrëse pranë Memorialit të Rilindasve në Gjirokastër”.“…duke u shkaktuar atyre një dëm pasuror në vlerë 5 600 520 lekë,” thuhej në njoftimin e SPAK.
Rami u gjykua me proces të shkurtuar, duke iu ulur në këtë mënyrë 1/3 e dënimit, ndërsa vendimi pritet të apelohet nga ish-zyrtarja.Në vitin 2019, pronarët e banesave të prishura për shkak të zbatimit të dy projekteve denoncuan Ramin në Prokurorinë e Gjirokastrës për “shpërdorim detyre”, duke pretenduar se nuk ishin dëmshpërblyer. Më pas dosja u transferua për kompetencë në SPAK.
Zamira Rami u zgjodh në krye të bashkisë Gjirokastër në vitin 2015 si përfaqësuese e Lëvizjes Socialiste për Integrim me 54.47 % të votave. Pas vendimit të opozitës për të bojkotuar zgjedhjet lokale të 2019, Rami nuk kandidoi për një mandat të dytë.
