Arrestohet Tironsi që jetonte ne Itali/ 56-vjeçari tenton të kalojë në kufi rreth 500 mijë Euro pa i deklaruar

Një shtetas shqiptar që vinte nga Italia është kapur në pikën e kalimit kufitar të Muriqanit me rreth gjysëm milionë euro të fshehura në brendësi të automjetit me të cilin udhëtonte. Shtetasi 56-vjeçar mendohet të jetë spiunuar nga dikush që kishte informacion se ai do të fuste në Shqipëri shumën e madhe të parave të padeklaruara.

Përmes një njoftimi policia bën me dije se Radi ishte duke udhëtuar me automjetin e tij tip “Benz”, dhe gjatë kontrollit në vijën e dytë u gjetën të fshehura në mjet, 494.785 Euro. Shuma e madhe e parave nuk ishte deklaruar nga 56-vjeçari, ndaj dhe u bë sekuestrimi i tyre nga autoritetet.

“Në përfundim të veprimeve të para të kryera nga specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimit Ekonomik e Financiar në DVP Shkodër u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit R. R., për veprat penale “Mosdeklarimi në kufi i të hollave dhe sendeve me vlerë” dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, njofton policia.