Nga Korça drejt Morinës dhe Hanit të Hotit, kapen 9 emigrantë, arrestohen 3 Korçaret…

Tre persona, banues në Korçë, janë arrestuar në Elbasan, pasi u kapën duke transportuar 9 emigrantë nga vendet e treta me dy automjete. Operacioni policor i koduar “Tranzit 4” u finalizua në orët e para të mëngjesit, pas administrimit të informacioneve për një rast të dyshuar të transportimit të paligjshëm të emigrantëve kundrejt fitimit.

Sipas Policisë, 9 shtetasit e huaj dyshohet se kishin hyrë ilegalisht në Shqipëri përmes kufirit të gjelbër në Korçë dhe më pas do të transportoheshin drejt pikave të kalimit kufitar të Hanit të Hotit dhe Morinës.

Në pranga kanë rënë tre shtetas, të moshës 21, 23 dhe 25 vjeç, të tre banues në Korçë.

Gjatë operacionit janë sekuestruar dy automjetet e përdorura për transportimin e emigrantëve, si dhe pesë aparate celulare.

Ndërkohë, hetimet vijojnë për dokumentimin e plotë të kësaj veprimtarie dhe identifikimin e personave të tjerë që mund të jenë të përfshirë.

Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Elbasanit për veprën penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufirit”, kryer në bashkëpunim.

Leave a Reply

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.