Një aksident tragjik është regjistruar ditën e sotme në autostradën “Slavonski Brod”, në Kroaci, ku një autobus me targa të Kosovës,ku udhëtonin 60 pasagjerë nga Frankfurti në drejtim të Prishtinës doli nga rruga ,për pasojë 10 pasagjerë kanë humbur jetën. Drejtori i spitalit në Kroaci ku janë shtruar të plagosurit u shpreh për mediat se deri tani janë 45 pasagjerë të lënduar, 8 prej tyre në gjendje të rëndë për jetën.

Shefi i Policisë Rrugore të Stacionit Policor Slavonski Brod, Franjo Galiç u shpreh se ky ishte aksidenti më i rëndë që kishte parë.
Unë kam qenë në shumë aksidente, por ky është me të vërtetë i rëndë dhe mendoj se është një nga aksidentet më të rënda që kam parë.Autobusi ishte plot, por nuk mund të them nëse kishte fëmijë mes të vdekurve ose të plagosurve. Sipas udhëtarëve, kishte mbi 60 persona në autobus”, tha ai. Shqiptarët nga Kosova po ktheheshin nga Gjermania, por udhëtimi i tyre mëngjesin e sotëm u pre në mes.
Sipas medias kroate, 24sata.hr, shoferët e autobusit nga Kosova që po bartte mërgimtarë nga Frankfurti për në Prishtinë kishin pushuar në Bregana për gjysmë ore para aksidentit. Aty ata ishin ndërruar dhe drejtimin e autobusit e kishte marrë shoferi tjetër. Supozohet se aksidenti është shkaktuar nga lodhja e shoferit.
