Sekuestrohet lokali i ish-drejtorit të Postës Valter Gora, Korçë/ E kishte blerë me paratë e përfituara nga abuzimet

Është sekuestruar një lokal në pronësi të ish-drejtorit të Postës në Korçë, Valter Gora, i cili u arrestua pak javë më parë, i akuzuar për shpërdorim detyre dhe falsifikim dokumentesh. Gora shfrytëzonte postin për të falsifikuar kontrata qiramarrjeje për ambiente të cilat do të përdoreshin nga Posta Shqiptare në filialin e Korçës, ndërsa paratë e përfituara i përdori pikërisht për të blerë këtë lokal, i cili ishte në përdorim të filialit të Postës Shqiptare (i lëshuar me qira).


NJOFTIMI I POLICISE
Nga specialistët për Hetimin e Krimit Ekonomik-Financiar në Drejtorinë Vendore të Policisë Korçë, në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Korçë dhe Komisariatin e Policisë Pogradec, në vijim të punës për identifikimin dhe gjetjen e aseteve kriminale që rrjedhin nga veprimtaria kriminale, u bë ekzekutimi i vendimit të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Korçë datë 28.07.2021, për vendosjen e sekuestros preventive ndaj një prone në qytetin e Pogradecit, konkretisht lokal shërbimi, në pronësi të shtetasit V. G., i cili u arrestua në datë 14.07.2021, në kuadër të operacionit policor “Kontrata”, për veprat penale “Shpërdorimi i detyrës” dhe “Falsifikimi i dokumenteve”, kryer në bashkëpunim.

Nga hetimet e kryera, dyshohet se të ardhurat e paligjshme të përfituara nga aktiviteti kriminal i shtetasit V. G., janë investuar në blerjen e këtij ambienti, i cili ishte në përdorim të filialit të Postës Shqiptare (i lëshuar me qira). Vijon puna për të verifikuar dhe evidentuar pasuritë e tjera, që mund të jenë në emër të 41-vjeçarit V. G. dhe bashkëpunëtorëve të tjerë të tij.


Materialet i kaluan Prokurorisë për veprime të mëtejshme.

Leave a Reply

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.