Ambrozia Meta: “Dy fakte pse Basha duhet të ikë i turpëruar nga politika dhe jo me dinjitet”

Gazetarja e politikës në Syri Tv, Ambrozia Meta duke komentuar krizën që po kalon Partia Demokratike, shkruan se Lulzim Basha duhet të largohet i turpëruar dhe për këtë mjafton analiza e dy fakteve konkrete. Përmes një postimi në rrjetet sociale, gazetarja kujton si e la Basha jashtë listave në 2017-ën kryetarin e FRPD, Belind Këlliçi, edhe pse kishte premtuar se 35% e kandidatëve të PD do të ishin nga Forumi i të rinjve. Ndërsa pasi e shtyu me dy vite mandatin e organeve drejtuese te Forumit, pa pritur vendosi të premten të zhvillonte zgjedhjet për kryetarin e ri të FRPD, pasi Belind Këlliçi vendosi t’i bashkohej Foltores së ish-kryeministrit Sali Berisha. Dy ngjarje këto që sipas gazetares tregojnë se ai duhet të ikë nga politika i poshtëruar dhe jo me dinjitet.

Reagimi i plote:


Ishte pranverë e vitit 2017. Të premten e 26 majit, në atë ditë të ngjeshur negociatash, Lulzim Basha e kishte thirrur Belind Këlliçin në zyrë për te diskutuar mbi listat e kandidatëve për deputetë nga radhët e FRPD. Basha i kishte shpjeguar bashkëpunëtorit të tij prej shumë vitesh, se përfshirja e PR-së dhe LZHK-së në listat e Tiranës, e kishte ndërlikuar situatën. Megjithëse, kishte premtuar në atë fushatë se 35 % e kandidatëve, do ishin nga radhët e FRPD, Basha e la jashtë liste, kryetarin e saj.

Për të shlyer borxhin politik, ndaj tij dhe shumë të rinjëve, që ishin zvarritur nëpër sheshe, në mes të gazit lotësjellës, ishin çuar në komisariate dhe ishin kërcënuar në Ambasada, Lulzim Basha e shtyu me dy vite, mandatin e organeve drejtuese të FRPD. Deri këtë të premte, kur në rrethet mediatike dhe politike, u hap fjala se Belindi dhe shume të rinj të forumit, do t’i bashkoheshin foltores së Sali Berishës, të dielën e 7 nëntorit. 

Janë dy ngjarje në kohë të ndryshme, që provojnë njeriun dhe politikanin që Lulzim Basha është. Prandaj ai duhet të iki nga politika jo me dinjitet por vetëm i poshtëruar.