E trishtë/ Humb betejën me jetën ish-deputetja dhe pedagogja Edlira Haxhiymeri

Edlira Haxhiymeri, pedagoge e njohur dhe ish-deputete e Partisë Socialiste, është ndarë nga jeta mëngjesin e kësaj të shtune. Lajmin e trishtë e jep djali i saj, teksa falenderon të afërmit dhe miqtë për mbështetjen. Pedagogia dhe studiuesja e përkushtuar e Shkencave Sociale vuante nga një sëmundje e rëndë prej 5 vitesh, betejën me të cilën nuk e ka fituar dot dhe mëngjesin e këtij 14 maji ka mbyllur sytë përgjithmonë.

Të dashur familjarë dhe miq, me pikëllim të madh ju njoftoj se nëna ime e shtrenjtë, Edlira Haxhiymeri, ndërroi jetë. Ju falenderoj për ndihmesën dhe mbështetjen që na keni dhënë gjatë më shumë se 5 viteve tejet të vështira ku luftuam me çdo mjet e mënyrë për të mposhtur sëmundjen e saj. Lamturia e fundit për Edën tonë të dashur është nesër në varrezat e Tufinës. Nisja e kortezhit është në ora 11:00 nga shtëpia funerale Alba 2000″, shkruan djali i saj, Endrit Yzeiraj.

Kush ishte Edlira Haxhiymeri

Ajo ishte kryetare e Shoqatës “Lidhja e Intelektualëve Dibranë”, si dhe bashkëpunëtore pranë dy universiteteve të huaja, universitetit “Clemson” në shtetin e Karolinës së Jugut, në Amerikë dhe në Universitetin e Europës Juglindore në Maqedoni. Gjatë 15 viteve të fundit zonja Edlira Haxhiymeri ka mbajtur pozicione të rëndësishme në arsimin e lartë, si përgjegjëse e Departamentit të Punës Sociale, anëtare e Senatit të Universitetit, zv. Rektore e Universitetit të Tiranës dhe zv. Ministre e Arsimit në Shqipëri.