E rëndë/ I riu nga Berati emigroi në Angli pasi mbaroi universitetin, gjendet i pajetë në “shtëpinë e barit”

Një 24 vjeçar shqiptar është gjetur i pajetë në Angli. Mariglen Ruçi nga lagjia Uznovë e Beratit kishte përfunduar studimet në universitetin e Sporteve. Pasi nuk kishte gjetur punë, u nis në mergim për një të ardhme më të mirë. Trupi i të riut shqiptar u gjet i pajetë mëngjesin e ditës së hënë pas zjarrit që kishte përfshirë banesën ku ky i fundit jetonte. Sipas mediave të huaja, në banesë kultivoheshin bimë kanabisi. Për ngjarjen e ndodhur është arrestuar një 40 vjeçar i cili akuzohet si shkaktar i zjarrit.

Familja Ruçi ka dy djem që të dy të apasionuar pas sportit. Mësohet se i ndjeri është vëllai i mesfushorit të Bylisit, Flamur Ruçi. Ky i fundit ka bërë të ditur edhe lajmin e hidhur të ndarjes nga jeta të Mariglenit. “Vëllai im do më mungosh shumë! Gjithmonë do jesh në zemrën time gjysma ime”, shkruan Flamuri.

Fqinjët kanë dhënë dëshminë e tyre mbi ngjarjen, duke e cilësuar si diçka të tmerrshme, pasi e gjithë banesa ishte përfshirë nga flakët gjatë orëve të para të mëngjesit.

Ndërsa mesazhe ngushëllimi i kanë ardhur vëllait edhe nga bota e sportit. ” Familja jonë e madhe i gjendet pranë në këto momente të vështira mesfushorit tonë Flamur Ruçi! Fatkeqësia e tij është edhe e jona, u prehtë në paqe vëllai jot” shkruan faqja e FK Bylis.

Për t’u bërë pjesë e grupit "KorcaBlog.com" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë.

Na ndiqni: