24 orët kritike për Shqipërinë, ja qarqet që rrezikojnë të përmbyten…

Shqipëria ndodhet prej disa orësh nën “pushtetin” e motit të keq. Sipas Institutit të Gjeoshkencave dhe Shërbimit Meteorologjik Ushtarak, duke filluar prej pasdites të 17 janarit pritet të ketë reshje të shiut me intensitet të lartë. Ato do të jenë më të përqendruara në veri të vendit.

Këto fenomene pritet të shoqërohen me shtrëngata në qarqet Shkodër, Kukës, Dibër, Lezhë, Elbasan, Vlorë dhe Gjirokastër. Në zonën e Alpeve parashikohen reshje tepër të dendura dëbore në formën e stuhive të dëborës. Ndërsa në zonat malore në lartësinë mbi 800-900 metra reshje dëbore me intensitet të ulët.


Bazuar në këto parashikime, Agjencia e Mbrojtjes Civile në Ministrinë e Mbrojtjes kërkon nga autoritetet vendore rritjen e gatishmërisë së strukturave të sistemit të Mbrojtjes Civile që kanë në administrim: hidrovoret, rezervuarët, infrastrukturën rrugore, furnizimin me energji elektrike, furnizimin me ujë, monitorimin e nivelit të lumenjve dhe çdo strukturë tjetër që është në funksion të menaxhimit të emergjencave civile.

Temperaturat do të variojnë, nga 11 / 16 °C në bregdet; në vendet e ulëta: 10 / 15 °C; në vendet malore: 5 / 10 °C. Sa i përket, era pritet të fryjë e lehtë deri mesatare, ndërsa në bregdet dhe zonat malore e fortë.

Për t’u bërë pjesë e grupit "KorcaBlog.com" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë.