Historia e pabesueshme e 114-vjeçares Shqiptare: “Nuk më japin pensionin, më thonë të ka kaluar mosha…

Qamile Marra është 114 vjeçe dhe i kanë ndaluar dhënien e pensionit me pretendimin se i ka kaluar mosha. Ajo është nga fshati Ferras i Kuçovës dhe familjarët e saj kanë hasur vështirësi në marrjen e pensionit të pleqërisë. Djali i saj, Hysen Marra, tha për gazetarët se në muajin janar 2023, nëna e tij nuk e ka marrë dot pensionin mujor prej 7700 lekësh sepse e kanë bërë të vdekur. Sipas tij, familjarët duhet të deklarojnë në zyrat e Gjendjes Civile Kuçovë nëse është gjallë apo jo nëna e tyre çdo fillim viti.

Këtë gjë ata nuk e kanë ditur ndaj nuk u ka ardhur pagesa e pensionit. Edhe nusja e djalit, Rrahime Marra, tregon se vjehrra e saj nuk e ka marrë pensionin sepse i kanë thënë që ka kaluar moshën dhe se duhen dokumente për ta vërtetuar nëse e moshuara jeton ende.

“Jam nusja e Qamiles. Vajtëm për të marrë pensionin këtë muaj, në Janar. Shpërblimin e morëm, pensionin nuk e morëm. Vajti burri për t’u ankuar atje se duhet një certifikatë. I gjetëm dhe i çuam. Vajtëm pastaj dhe na thanë ka mbushur moshën.Ç’qenka kjo, paska mbushur moshën dhe mos të rronka më. I ka ditët e Perëndisë. Ia ka dhuruar Zoti. Aq sa merr, 70, ne nuk i kërkojmë lekë shtetit. Nuk do ta hedh në rrugë unë plakën. Të tre pensionista jemi. Ka kaluar moshën, është 114 vjeçe. Le të jetë edhe 200 ajo ka ditët e veta”, tha nusja.

114-vjeçarja Qamil Marra është në gjendje të mirë shëndetësore dhe thotë se nuk vuan nga asnjë sëmundje. Ajo ka 6 fëmije, 4 vajza dhe 2 djem, ku vajza e madhe është 85 vjeçe. E moshuara tregoi se ka punuar 35 vjet në kooperativë bujqësore dhe për këtë merr një pension prej 7700 Lekësh. Ushqehet me bylmet dhe madje bën punët e shtëpisë dhe i lan vetë rrobat e saj. 114-vjeçarja jeton bashkë me djalin e saj të vogël, 76 vjeç dhe nusen 68 vjeçe.

Leave a Reply

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.