Ish bomber i Skenderbeut / Prefekti i Korçës për Dhimitraq Xhambazin ngelet legjendë dhe emër i madh

Nga Nertil Jole:                      
Kontribute dhe mirenjohje:                                      DHIMITRAQ XHAMBAZI, një mjeshtër i vërtetë i futbollit, lindi në Korçë në vitin 1952 dhe qysh fëmijë kishte pasion futbollin, sport me traditë në qytetin tonë. Nga 1967 deri në 1970 shkëlqeu tek ekipi i të rinjve e më pas për 12 vite radhazi u bë pjesë e pandarë e ekipit të Skënderbeut, me trajnerët Ilia Shuke e Aleko Pilika deri në vitin 1982. Në 12 vjet karrierë, Xhambazi luajti në mbi 240 ndeshje e shënoi rreth 110 gola.

Ishte një futbollist i fortë fizikisht dhe nje goleador i lindur, “i frikshëm” për çdo lloj mbrojtjeje e për çdo portier. Arritjet më të medha futbollistike të Xhambazit ishin dalja e Skënderbeut në finalen e Kupës së Shqipërisë më 1976, si dhe edicioni ‘76-’77, kur Skënderbeu u shpall Nënkampion i vendit.


Ka luajtur në disa takime miqësore me ekipet rumune e turke që vinin asokohe në Shqipëri, si dhe 4 ndeshjet e vlefshme për Kupën Ballkanike në vitin 1978, ku Skënderbeu luajti kundër grekëve të Aris të Selanikut dhe kundër jugosllavëve të Rijekës.

Duket paradoksale që Dhimitraq Xhambazi nuk u bë asnjëherë pjesë e skuadrës kombëtare shqiptare, ndërkohë që në ato vite ishte një ndër sulmuesit e golashënuesit më të mirë të Shqipërisë.

Pas largimit nga loja e futbollit, Xhambazi për vite me radhë ishte trajner i moshave pranë klubit Skënderbeu, si edhe drejtues shkolle ku me mirësinë, përkushtimin, profesionalizmin dhe përvojën e tij fitoi respektin dhe dashurinë e nxënësve dhe kolegëve.

Mban titujt “Mjeshtër Sporti”, “Qytetar Nderi i Korçës” si dhe “Urdhrin e Kalorësit të Skënderbeut” akorduar nga Presidenti i Republikës.

Dhimitraq Xhambazi ishte e mbetet një ikonë e vërtetë e sportit dhe një figurë e respektuar e mjaft popullore në qytetin e tij të lindjes, ku për bashkëqytetarët dhe adhuruesit e sportit ka mbetur një legjendë dhe një emër i madh, por po aq një njeri i shkëlqyer dhe një mik i mirë, ndaj ka gjithë adhurimin dhe mirënjohjen e tyre

Për t’u bërë pjesë e grupit "KorcaBlog.com" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë.


Na ndiqni: