Çelet sezoni turistik në Pogradec(Video)

Pogradeci ka çelur këtë të shtunë sezonin turistik. Moti me shi dhe temperaturat e ulëta kanë anuluar një pjesë të aktiviteteve ujore të parashikuara nga bashkia, ndërsa panairi tradicional ku ekspozohen punime artizanale mori vëmendjen e vizitorëve. Këtë verë bashkia ka shtuar sipërfaqet e plazheve publike tek të cilët do të vendosë edhe çadra, ndërsa ka përfunduar pastrimi i të gjithë gjatësisë prej 32 km të vijës bregliqenore që shtrihet nga Lini në Tushemisht.

Pjesa më e madhe e strukturave akomoduese janë rezervuar për Korrikun dhe Gushtin nga vizitorë vendas dhe të huaj, ku numrin më të madhe të tyre e zënë ata nga Kosova. Zgjerimi i ofertës turistike, ku veç liqenit vizitorët do orientohen edhe drejt destinacioneve malore, monumenteve natyrore dhe siteve të trashëgimisë kulturore, pritet të rritë interesin e turistëve, sidomos atyre të huaj.