Euro 2024 |Super Shqipëri, kuqezinjtë ngjiten në vendin e 2-të….

Shqipëria vijon rrugëtimin fantastik nën drejtimin e Sylvinhos duke marrë fitoren e dytë radhazi, 3-1 në Ishujt Faroe. Transferta e radhës rezultoi e suksesshme për kuqezinjtë tanë që krijuan pafund raste, por dhe nga ana tjetër rrezikuan të pësonin më shumë gola. Në minutën e 20-të, Jasir Asani shërben një asist perfekt për Nedim Bajrami, i cili me një goditje perfekte me të djathtën e dërgon në rrjetë. 12 minuta më pas Sokol Cikalleshi fitoi një 11-metërsh, të cilin e mori vetë përsipër. Sulmuesi kavajas do të gabonte nga pika e bardhë.

Vendasit do të ishin shumë të rrezikshëm, duke gjetur dhe golin e barazimit. Pas një shpërqendrimi të skuadrës sonë, Faero përfitoi për të shënuar me kokë, ndërkohë që Berisha e shoqëroi me sy topin në rrjetë.

Shqipëria do të reagonte shumë shpejt, duke u rikthyer sërish në avantazh. Në minutën e 51-të, Kristjan Asllani ka shënuar një eurogol të vërtet me një goditje spektakolare nga distanca, që do të shkonte në trekëndëshin e portës. Një “perlë” e vërtetë nga lojtari i Interit, që gjen golin e parë me Kombëtaren tonë.

Në minutat shtesë, Ernest Muçi vulosi gjithçka duke shënuar golin e tretë pas një kundërsulmi shumë të bukur

Kështu Shqipëria merr tre pikë me vlerë dhe ngjitet e dyta në grup. Një dhuratë për kombëtaren erdhi edhe nga Kishinjevi. Moldavia fitoi me rezultatin 3-2 përballë Polonisë, një nga ekipet pretendente të grupit E. Aktualisht Çekia është në vendin e parë me 7 pikë, Shqipëria 6 pikë, Moldavia 5 pikë, Polonia 3 pikë dhe Ishujt Faroe 1 pikë

Leave a Reply

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.