Specialistët për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme të DVP Korçë, në vijim të punës për goditjen e rasteve të transportimit të kundërligjshëm të emigrantëve, kundrejt fitimit, pas hetimeve proaktive njëjavore, në bashkëpunim me Agjencinë e Mbikëqyrjes Policore, rajoni Korçë-Elbasan, kanë finalizuar operacionin policor të koduar “Midnight 15”, si rezultat i të cilit u arrestua në flagrancë shtetasi:
-D. D., 35 vjeç, banues në Shkozet, Durrës.
35-vjeçari u kap në flagrancë nga shërbimet e Policisë, mbi fshatin Vërdovë, Pogradec, teksa po transportonte me një automjet (furgon), kundrejt pagesave 1000-1500 euro/person, 21 emigrantë nga vendet e treta, me qëllim kalimin ilegal të kufirit, me destinacion final shtetet e BE-së. Gjithashtu, në vijim të veprimeve procedurale për këtë rast, në celularin e shtetasit D. D., u gjetën aktive, faqe online për vënie të kundërligjshme, të basteve sportive.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan furgoni me të cilin trasnportoheshin emigrantët, 2 celularë dhe një shumë parash e dyshuar e përfituar nga kjo veprimtari kriminale.
Vijon puna për të provuar ligjërisht veprimtaritë kriminale ku mund të jetë i implikuar shtetasi D. D., si dhe për të identifikuar dhe për të arrestuar bashkëpunëtorët e tij. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë, për veprime të mëtejshme.
