Fundjava ka sjellë një fluks të shtuar në pikën e kalimit kufitar të Kapshticës, ku qytetarë të shumtë janë përballur me pritje të gjata për të kaluar drejt Greqisë. Radhët janë krijuar kryesisht për shkak të numrit të lartë të udhëtarëve nga Korça dhe zonat e juglindjes, të cilët gjatë fundjavës zgjedhin të kalojnë kufirin edhe për të bërë blerje.
Çmimet më të favorshme të karburantit dhe diferencat në produktet ushqimore janë ndër arsyet kryesore që shtyjnë banorët e zonave kufitare të furnizohen në Greqi.
Për shumë familje, këto udhëtime janë kthyer në një mënyrë për të reduktuar shpenzimet, sidomos për produktet e konsumit të përditshëm.
Përballë fluksit të lartë, Policia Kufitare në Kapshticë shton numrin e sporteleve gjatë fundjavave dhe aplikon procedura të përshpejtuara për përpunimin e udhëtarëve.
Sipas të dhënave nga pika kufitare, gjatë fundjavave mbi 10 mijë shtetas kalojnë në dalje nga Shqipëria përmes Kapshticës.
Fluksi është veçanërisht i lartë në oraret e pikut, duke sjellë radhë dhe pritje të gjata për qytetarët që udhëtojnë drejt Greqisë.
