Ende pa u inauguruar përfundimisht, rruga e re Korçë-Ersekë më një gjatësi 35 km ka dalë jashtë përdorimit për qytetarët! Cilësia e dobët e punimeve ka bërë që pjesa e këtij aksi në vendin e njohur Qafa e Qarrit të shembet, duke u fundosur dhe bërë të pamundur kalimin e automjeteve. Kjo pjesë e rrugës sapo ishte ndërtuar, por punimet nuk kanë qenë aspak cilësore.
Ky aks edhe pse në ndërtim e sipër ishte hapur për përdorim nga qytetarët dhe në të çdo ditë kalonin qindra automjete.
Plasaritjet e asfaltit janë raportuar dhe disa ditë më parë, ndërsa këtë të shtunë (17 shkurt 2024) rruga është shembur komplet duke krijuar një gropë të madhe. Fatmirësisht në momentin e shembjes mbi të nuk ka pasur automjete në qarkullim, duke shmangur ndonjë tragjedi të mundshme.
Rruga është propaganduar shumë ,si një investim që do shkurtojë distancën me Korçën për disa minuta duke u ardhur në ndihmë banorëve. “Tashmë kantieri është në një fazë shumë të avancuar, pjesa e parë e Lotit të Dytë është përfunduar në 99 %”, deklaronte kohë më parë ministrja Balluku.
Kostot e këtij investimi përllogariten në 60 milion euro, teksa aksi konsiderohet i kategorisë C, 8.5 metër e gjerë dhe me një karrexhatë lëvizje për sens. Edhe pse miliona euro janë derdhur për këtë investim, edhe disa të tjera do të shkojnë për riparimin e defekteve të saj.
E gjitha kjo ngre dyshime të arsyeshme se me buxhetin e këtij aksi është abuzuar në vjedhje fondesh. Pas këtij lajmi reagimet në rrjetet sociale kanë qenë të shumta, ku banorët i kanë kërkuar SPAK dhe nisjen e një hetimi!

