Eurostat: “Veriu dhe jugu i Shqipërisë se bashku me Vanin e Turqisë, rajonet më të varfra të Europës

Veriu i Shqipërisë bashkë me Rajonin e Vanit në Turqi rezultojnë të jenë më të varfrit në Europë, bazuar në treguesin e të ardhurave për frymë i matur nga fuqia blerëse në raport me mesataren e BE, referon Vjetari rajonal 2024 i Eurostat. Sipas Eurostat, fuqia blerëse në Rajonin e Veriut të Shqipërisë (Durrës, Dibër, Kukës, Lezhë dhe Shkodër) është sa 25% e mesatares së BE-së,

duke lënë pas vetën Rajonin lindor të Vanit në Turqi me 24% të mesatares së BE.

Konvergjencën më të madhe me nivelin ekonomik të BE, e ka rajoni i Qendrës së vendit me qarqet e Elbasanit të Tiranës.

Në këtë rajon, fuqia blerëse është sa 38% e mesatares së BE raporton Eurostat, i cili referon se edhe Rajoni i Jugut në Shqipërisë (Berat, Fier, Gjirokastër, Korçë dhe Vlorë) ka fuqinë blerëse sa 28% e mesatares së BE më 2022, një nga më të varfrat në Europë.

Rritja ekonomike e vendit në dekadën e fundit, është shpërndarë në mënyrë të pabarabartë në rajonet e tij. Vit pas viti, qendra e vendit po fuqizohet ekonomikisht, kurse rajonet e Veriut dhe Jugut janë rritur nën mesataren kombëtare.

Qarqet e Dibrës dhe Kukësit, që u vlerësuan si më të varfrat në vitin 2011, janë varfëruar më tej në dekadën e fundit. Politikat ekonomike dhe sociale nuk po sigurojnë kohezionin social dhe për shkak të kësaj dukurie, qarqet e vendit, sidomos Veriu, po shpopullohet me shpejtësi duke zgjedhur emigracionin kryesisht, edhe pse disponojnë burime natyrore të shumta.

Në Shqipëri, mungojnë politikat e zhvillimit rajonal dhe shpesh financimet e qeverisë qendrore nuk kanë shpërndarje të drejtë në raport nevojat. P.sh pavarësisht se të dhënat zyrtare tregojnë se Kukësi dhe Shkodra po përkeqësojnë nivelin e tyre ekonomik, qeveria çon investimet në qarqe që kanë më pak nevoja lokale dhe kanë potenciale më shumë për tu zhvilluar.

Të dhënat nga Ministria e Financave, tregojnë se në vitin 2023 në 12 bashkitë e mëdha të vendit, që përfaqësojnë qendrat e prefekturave, u investuan gjithsej 16,6 miliardë lekë (fondet e veta + transferta e buxhetit qendror) nga 31,6 miliardë lekë të planifikuara. Të dhëna më të detajuara tregojnë se bashkitë e Veriut, kishin një realizim më të mirë të fondeve në raport me programin krahasuar me bashkitë e tjera./ Monitor