Kristiano Koçibelli, kandidat për deputet i Partisë Demokratike në qarkun Korçë, reagoi menjëherë pas këtij zhvillimi, duke e cilësuar rënien e Skënderbeut si një pasqyrim të keqmenaxhimit institucional dhe mungesës së vizionit të pushtetit lokal dhe atij qendror. Në mesazhin e tij publik, Koçibelli thekson nevojën urgjente për t’i rikthyer qytetit krenarinë sportive dhe për të ndërtuar një strategji të re për ringritjen e sportit në Korçë.
Nga Kristiano Koçibelli:
“Sporti korçar, dikur krenaria e juglindjes dhe një nga simbolet më të spikatura të suksesit në Shqipëri, sot gjendet në një krizë të thellë si pasojë e keqmenaxhimit të vazhdueshëm nga pushteti lokal dhe ai qendror. Mungesa e investimeve serioze, papërgjegjshmëria administrative dhe interesat personale kanë lënë pas dore infrastrukturën sportive, talentet e reja dhe vetë frymën e garës që për vite me radhë frymëzoi breza të tërë.
Një nga shembujt më të dhimbshëm të kësaj rënieje është ai i klubit legjendar “Skënderbeu”. Pas viteve të lavdisë ku dominonte Kategorinë Superiore dhe përfaqësonte Shqipërinë denjësisht në arenën europiane, Skënderbeu sot ka rënë në Kategorinë e Parë, një goditje e rëndë për qytetin e Korçës dhe gjithë sportdashësit shqiptarë.
Kjo rënie nuk është thjesht një rezultat sportiv, por një pasqyrim i keqmenaxhimit institucional, mungesës së vizionit dhe mbështetjes nga autoritetet lokale dhe qendrore.
Në mungesë të një strategjie afatgjatë, Korça po humbet jo vetëm sportin e saj elitar, por edhe mundësinë për të edukuar të rinjtë përmes sportit, duke i lënë ata pa alternativa të shëndetshme.
Rënia e Skënderbeut është një kambanë alarmi për të gjithë!
Ky është momenti për rikthimin e dinjitetit dhe krenarisë së korçarëve! Duhet t’i kthejmë sportdashësve tanë Skenderbeun Madhështor!”- përfundon reagimin Koçibelli.
Për t’u bërë pjesë e grupit "KorcaBlog.com" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë.




