Nga: Shpëtim Agolli
Ilir Vrenozi tashmë është një figurë e njohur për publikun shqiptar përmes rrjeteve sociale, ku ka artikuluar shqetësime shoqërore dhe politike me një stil të drejtpërdrejtë, ironik dhe thellësisht popullor.
Ai nuk vjen nga akademia, as nga laboratorët e komunikimit artificial, por nga rruga, nga biseda e kafenesë, nga përvoja reale e jetës dhe pikërisht kjo e bën të besueshëm.
Origjina e tij familjare përmetar, por i lindur dhe i rritur nëqytetin e Korçës, nuk është thjesht një element gjeografik, por një përbërës kulturor.
Korça është një qytet ku prej dekadash janë shkrirë në një të vetme kulturat e Kolonjës, Devollit, Gorës, Oparit, Përmetit e më gjerë. Aty janë ndërthurur forma gjuhësore, tradita, zakone, arsim dhe edukatë qytetare.
Ky amalgam kulturor ka prodhuar një tipologji njeriu që di të dëgjojë, të presë dhe të godasë në momentin e duhur.
Iliri, për shkak të moshës dhe përvojës jetësore, ka një avantazh të qartë ndaj rivalëve më të rinj.
Ai ka jetuar më shumë me shoqërinë dhe brenda saj, ka përvetësuar si anët pozitive, ashtu edhe të errëta të jetës.
Në sjelljen e tij do të gjesh zgjuarsinë e kolonjarit, vetëironinë e devolliut, krenarinë e oparakut, sfidën e gorarit dhe mbi të gjitha urtësinë përmetare, një urtësi që nuk bërtet, por pret.
Ai nuk është tip që lodhet shpejt, por as që mërzitet.
I pëlqejnë miqësitë dhe di t’i krijojë ato, por njëkohësisht ka durimin për të futur krisje dhe përçarje aty ku aleancat bëhen artificiale.
Vrenozi është më tepër pragmatist sesa parashikues: ai nuk ndërton skema të mëdha teorike, por lexon situatën dhe vepron sipas saj.
Batutat e tij shpesh do të krijojnë habi, madje edhe moskuptim te banorët e tjerë.
Shprehja “kur ta marrësh vesh ti, unë kam ngrënë një kosh me rush” i shkon për shtat më shumë se çdo analizë e stërholluar.
Ai shpesh do të luajë rolin e naivit, të paditurit, duke i vënë rivalët “në gjumë”, për t’i përdorur më pas pikërisht atë perceptim në momentet kyçe.
Shembujt janë të qartë psh kur i thotë Kristit: “nga bajame u ktheve në lajthi”, ai nuk bën thjesht humor, por vendos një hierarki simbolike.
Apo kur, me intonacion tipik korçar, pyet: “Po ç’ke mo ti, ku do shkojë ajo? Pronar i saj je ti?”, ai nuk sulmon, por korrigjon.
Është një vërejtje e thjeshtë njerëzore që lidhet me edukatën, me lirinë personale, me norma të pashkruara që publiku i ndien si të vetat.
Dhe pikërisht këtu qëndron forca e Vrenozit.
Ai artikulon atë që shumë njerëz mendojnë, por nuk dinë ose nuk guxojnë ta thonë. Prandaj zë vend në opinionin publik.
Prandaj nuk kalon pa u vënë re. Dhe prandaj, pavarësisht skenarëve apo favorizimeve, ai mbetet një nga rivalët realë për fitoren.
Në fund të fundit, Big Brother nuk fitohet gjithmonë nga më i forti, por nga më i kuptueshmi për publikun. Dhe Vrenozi, me gjithë kontradiktat e tij, është pikërisht i tillë.
Për t’u bërë pjesë e grupit "KorcaBlog.com" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë.




