Radhë kilometrike në Qafë Thanë, Alarm për sezonin turistik në Pogradec

Teksa Pogradeci ka nisur të presë pushuesit e parë të sezonit veror, situata në pikën kufitare të Qafë Thanës po kthehet në një shqetësim serioz për turizmin në zonë. Radhët kilometrike dhe pritjet e gjata në kufirin me Maqedoninë e Veriut po krijojnë vështirësi për qytetarët dhe vizitorët që zgjedhin qytetin liqenor për pushime.

Edhe pse mes dy vendeve është arritur

një marrëveshje për kontroll të përbashkët kufitar, me synimin për të lehtësuar lëvizjen dhe për të shmangur vonesat, në praktikë situata mbetet problematike dhe ende nuk ka sjellë rezultatet e pritshme.

Përballë kësaj gjendjeje, drejtuesi i Bashkisë së Pogradecit i ka bërë thirrje qeverisë shqiptare që të ndërhyjë urgjentisht për normalizimin e qarkullimit në pikën kufitare, duke e konsideruar këtë çështje jetike për mbarëvajtjen e sezonit turistik.

Nga ana tjetër, operatorët turistikë raportojnë interes të lartë për pushime në Pogradec gjatë kësaj vere.

Sipas tyre, rezervimet janë në nivele të kënaqshme, ndërsa vihet re edhe një rritje e numrit të turistëve të huaj, kryesisht nga Anglia, Franca dhe Greqia.

Pogradeci pritet të hapë zyrtarisht sezonin veror më 6 qershor, me organizimin e aktiviteteve të shumta artistike, kulturore dhe festive, që synojnë të tërheqin vizitorë vendas dhe të huaj gjatë gjithë verës.