Ka folur për herë të parë në media nëna e Violand Braçellarit, i akuzuar për vrasjen e efektivit të Policisë së Shtetit, Enea Mekolli, si dhe plagosjen e një tjetër punonjësi policie, Edison Adri, ngjarje e ndodhur më 4 qershor.
Në dëshminë e saj, ajo ka paraqitur versionin e saj të ngjarjes, duke pretenduar se ndërhyrja e policisë ka ndodhur në një stallë ku ajo dhe djali i saj ndodheshin në punë. Sipas saj, në momentin që i ka bërë me dije të birit praninë e policisë, ai është larguar me shpejtësi, duke u hedhur nga dritarja e objektit.
Ajo shprehet se i biri kishte vite që jetonte i fshehur në zonë malore dhe se rrallëherë qëndronte në banesën familjare. Sipas saj, ai kishte refuzuar të dorëzohej për shkak të një dënimi që e konsideronte të padrejtë lidhur me një çështje narkotikësh.
Në intervistën e dhënë, ajo pretendon se shkëmbimi i zjarrit ka nisur pas ndërhyrjes së policisë, duke deklaruar: “Policia i ra e para, pastaj qëlloi djali im. Nuk i thanë as dorëzohu, as që ishin policë”.
Ajo ka mohuar gjithashtu akuzat se i biri kishte kultivuar lëndë narkotike apo kishte bashkëpunuar me policinë, duke i cilësuar pretendimet si të pavërteta.
E pyetur për ndjenjat e saj pas ngjarjes tragjike ku humbi jetën një punonjës policie, ajo u shpreh: “Më vjen shumë keq, edhe djali im të kishte vdekur. Nuk ka faj as djali im as polici”.
Sipas saj, i riu kishte pasur konflikte të hershme me drejtësinë dhe prej vitesh jetonte i izoluar, ndërsa pretendon se familja kishte tentuar ta bindte të dorëzohej, por pa sukses.
Hetimet për rrethanat e plota të ngjarjes vijojnë.
