Përplasje fatale në aksin Pogradec–Qafë Thanë, vdes 26-vjeçarja , 4- ngelen te plagosur…

Një aksident i rëndë rrugor ka ndodhur rreth orës 11:30 në aksin “Pogradec–Qafë Thanë”, pranë fshatit Pojskë ku janë përplasur dy automjete, njëri prej tyre me targa të huaja. Sipas të dhënave paraprake, aksidenti ndodhi rreth orës 11:30, kur një automjet tip “Golf” me targa të Maqedonisë së Veriut dyshohet se kreu një parakalim të gabuar, duke u përplasur ballë për ballë me një automjet tip “Benz”, ku udhëtonte një familje nga Korça.

Si pasojë e goditjes së fortë, ka humbur jetën Elmedina Lloga, 26 vjeçe, banuese në Maqedoninë e Veriut, e cila ndodhej si pasagjere në automjetin me targa të huaja. E reja mbeti e bllokuar në mjet për më shumë se 20 minuta dhe, megjithëse në vendngjarje ndërhynë forcat zjarrfikëse për ta nxjerrë nga automjeti, plagët e marra rezultuan fatale.

Nga përplasja mbetën të plagosur të dy drejtuesit e mjeteve, si edhe dy pasagjerë të tjerë. Në mesin e të lënduarve janë edhe anëtarë të familjes që udhëtonte në automjetin “Benz”. Të gjithë janë transportuar në Spitalin e Pogradecit, ku po marrin ndihmën e nevojshme mjekësore.

Autoritetet po hetojnë shkaqet e plota të aksidentit, ndërsa qarkullimi në këtë segment rrugor u vështirësua për disa minuta deri në normalizimin e situatës.