Nga Llazjon Petri:
Protestën në Korçë kemi detyrimin ta mbajmë pishtar të ndezur, përditë, pavarësisht pjesëmarrjes në numër. Shprehim respekt dhe mirënjohje për solidaritetin e kujtdo që i ka dhënë 1 dorë dhe për këdo që merr pjesë me frymë ose me prani!
Për cinikët kemi lutje, për dashakeqët gjithashtu, se i mirëkuptojmë.
Kërkojmë falje për njerëzit që mund të jenë ndjerë keq nga ndonjë tejkalim, që natyrshëm vjen nga rrethanat e situatës, a prej spontanitetit të folësve, fjala e të cilëve pastaj, nxirret nga konteksti dhe shpërndahet elektronikisht, si qesëndi për komentonjësit e ngeshëm, të cilët më së shumti as që merren fare me të vërtetat e hidhura që përcillen aty.
Kam menduar këto ditë që gurin e sofatit e paskemi trashëgimi kulturore të prekshme, tek ato pak pragje dyersh, ku mund ta gjejmë ende, si edhe trashëgimi të gjallë të thashethemit, ku pavarësisht moshës, parapëlqekemi si shoqëri të bëjmë plakat llafazane.
Do ishte e udhës të vlerësonim faktin që sadokudo, edhe falë protestave, po formësohet kultura civile e llogaridhënies, e njohjes më cilësore të detyrimeve dhe të drejtave qytetare.
Do vijojmë të shprehemi lirisht, në dritë të diellit për 1 Shqipëri të Re, për Korçën nuse, për Korçën e Turtullit dhe Lakçes që shkrinë pasurinë për këtë vend, e që kontraston kaq shumë me këta të sotmit, për Korçën komunitare, që e ndihmon komshiun të futë drutë, për dritën e komunitetit në tërësinë e vet, që neodiktaturat e kanë halë në sy, për Korçën plakë, jo për llafazanen, por për atë Plakën e mençur, të përvuajtur, prej së cilës kemi shumë ç’të mësojmë e ç’të reflektojmë.
l.p 24/06/2026 revolucioniiflamingove TheFlamingoRevolution
