Pas 34 ditësh proteste, niset procesi për Kuvendin Kombëtar

Grupi Nismëtar i Protestës Kombëtare, në ditën e 34-t të protestës, ka vendosur të nisë procesin për thirrjen e Kuvendit Kombëtar. Lajmi është bërë publik përmes postimeve në Facebook nga Klajdi Bello dhe Armir Shkurti, të cilët bëjnë me dije se Grupi Nismëtar për organizimin e Kuvendit Kombëtar të Protestës ka zhvilluar një mbledhje gjatë ditës së sotme.

Sipas njoftimit, në përfundim të mbledhjes janë miratuar në mënyrë unanime platforma dhe kriteret e anëtarësimit. Ata shprehen se hartimi i këtij procesi ka kërkuar 34 ditë për shkak të vështirësive dhe, sipas tyre, të “shkopinjve nën rrota”.

Organizatorët bëjnë me dije se emrat e kontribuuesve nuk janë bërë publikë për t’i mbrojtur nga, siç pretendojnë ata, “raprezaljet”.

Në mbledhjen e sotme kanë marrë pjesë, mes të tjerëve, ambientalisti Sazan Guri, anëtari i PSD-së në Elbasan, Erion Murataj, gazetari Ferdinand Dervishi, si dhe përfaqësues të tjerë të grupit nismëtar.

Postimi i plotë:

Vëllezër e motra, dëshirojmë t’ju informojmë se pas një takimi i cili zgjati 5 orë të plota, Grupi Nismëtar për organizimin e Kuvendit Kombëtar të Protestës, miratoi në unanimitet platfomën dhe kriteret e anëtarësimit.

Na u nevojiten 34 ditë për të arritur në këtë pikë, ku kemi pasur pafund shkopinj nën rrota, por Zoti është më i madh dhe është me ne!

Mirënjohje pafund për kontribuesit (emrat nuk i themi sot për ti mbrojtur nga raprezaljet, por të mirën s’ua harrojmë).

Kuvendi, me hir a me pahir do të mblidhet!

Protestuesit kanë nevojë për përfaqësim dhe ne jemi aty për këtë. Kjo gjë nuk diskutohet!

Siç është e pa diskutueshme kërkesa dhe vullneti i Sovranit për dorëheqjen e Edi Ramës!