Shuhet aktori i madh Koço Qendro, Korça humbet një prej kolosëve të artit shqiptar…

Arti shqiptar ka humbur një nga figurat e tij më të mëdha. Aktori i njohur Koço Qëndro 99-vjeç është ndarë nga jeta, duke lënë pas një trashëgimi të pasur artistike që shtrihet në më shumë se gjashtë dekada në teatër, estradë dhe kinematografi. Ai ishte një nga emrat më të spikatur të skenës shqiptare dhe një figurë shumë e dashur për publikun.

I lindur më 15 maj 1927 në Senicë të Delvinës, Koço Qëndro e zhvilloi karrierën e tij kryesisht në Korçë, ku u bë një nga themeluesit dhe figurat qendrore të teatrit dhe estradës profesioniste.

Me qindra role në skenë dhe në film, ai la gjurmë të thella në kulturën shqiptare. Ndër interpretimet e tij më të njohura mbetet roli i Harpagonit në komedinë “Kopraci” të Molierit, të cilin e luajti në periudha të ndryshme të jetës, edhe në moshë të thyer.

Në kinematografi, Qëndro u bë pjesë e disa prej filmave më të njohur shqiptarë si “I teti në bronz”, “Përballimi”, “Agimet e stinës së madhe” dhe “Vendimi”. Përveç aktrimit, ai kontribuoi në dokumentimin e historisë së teatrit korçar dhe u vlerësua me tituj të shumtë nderi, përfshirë edhe “Ambasador i Qarkut” nga Këshilli i Qarkut Korçë. Me ndarjen e tij nga jeta, Shqipëria humbet një nga dëshmitarët dhe krijuesit më të rëndësishëm të artit skenik shqiptar.