Edi Rama ka lindur më 4 korrik 1964 në Tiranë dhe mban mbi shpatulla një karrierë të gjatë në politikë, në botën e mësimdhënies, si dhe në atë të sportit. Ai është ish-basketbollist, ish-pedagog, piktor, publicist dhe politikan që shërben prej 13 vitesh si kryeministër.
Edi Rama është kryetar i Partisë Socialiste të Shqipërisë që nga viti 2005 dhe Kryeministër i Shqipërisë që prej vitit 2013. Para zgjedhjes së tij si kryeministër, mbajti një numër postesh qeveritare dhe diplomatike.
Për më tepër, ai më parë ka shërbyer si Ministër i Kulturës, Rinisë dhe Sporteve nga 1998 në 2000. Më pas ai u bë kryebashkiak i Tiranës për të paktën tre mandate nga viti 2000 deri në vitin 2011.
Edi Rama studioi dhe u diplomua në Akademinë e Arteve në vitin 1982 dhe punoi në këtë institucion të arsimit të lartë si pedagog. Në vitin 1993 ai u largua nga vendi për të jetuar në Francë, vend ku dhe nisi karrierën artistike.
Por pas katër vitesh, ai u detyrua të kthehej në Shqipëri për shkak të vdekjes së babait të tij, Kristaq Rama, dhe prej atëherë ka nisur zyrtarisht aktivizimin dhe karrierën politike. Kryeministri i kohës, Fatos Nano e emëroi atë si ministër i Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, në qeverinë e tij.
Në vitin 2000, Edi Rama shpalli synimin e tij për të kandiduar për kryetar bashkie në Tiranë dhe rezultati i zgjedhjeve i siguroi një fitore të madhe, duke marrë 57% të totalit të votave. Ai e drejtoi kryeqytetin për tre mandate radhazi. Gjatë mandatit të tij të parë, në vitin 2004, Edi Rama është zgjedhur “World Mayor” (Kryebashkiaku i Botës).
Në vitin 2013, Partia Socialiste e drejtuar prej tij, arriti të merrte pushtetin duke larguar Sali Berishën nga qeverisja. Mbështetja që shqiptarët i dhanë ishte më masivja që një parti politike kishte marrë në Shqipërinë demokratike, aq sa për shumë kohë votat që mori u quajtën “1 milion shuplaka”, duke ju referuar refuzimit që populli i bëri PD-së së Sali Berishës.
Edi Rama formoi Kabinetin e 33-të Shqiptar dhe u zgjodh Kryeministër i Shqipërisë, duke e drejtuar vendin për katër mandate radhazi, si askush tjetër. Megjithatë, partia dhe qeverisja e tij është goditur nga skandale të shumta gjatë këtyre 13 viteve, me një numër bashkëpunëtorësh që janë larguar nga PS, disa janë dënuar nga organet e drejtësisë dhe të tjerë janë në procese penale. © Newsbomb.al
