Turqia mbyll portet për kroçerën LGBTQ+: “Nuk përputhet me vlerat tona”

Turqia ka refuzuar t’i lejojë hyrjen në portet e saj një kroçereje të organizuar për udhëtarë amerikanë LGBTQ+, duke detyruar organizatorët të ndryshojnë itinerarin vetëm pak ditë para nisjes.

Anija Scarlet Lady, e planifikuar të nisej më 5 korrik nga Greqia me ndalesa në Kuşadası dhe Stamboll, nuk do të ankorojë më në Turqi. Në vend të kësaj, itinerari është ndryshuar dhe anija do të ndalet në Egjipt dhe në ishullin grek të Kretës.

Autoritetet turke arsyetuan vendimin duke deklaruar se aktiviteti nuk është në përputhje me “vlerat morale” dhe “vlerat familjare” të vendit. Sipas tyre, grupi që kishte rezervuar kroçerën është i lidhur me aktivitete që nuk përputhen me strukturën shoqërore të Turqisë.

Organizatorët e udhëtimit, kompania Atlantis Events, e dënuan vendimin, duke e cilësuar diskriminues dhe të paprecedentë. Ata theksuan se në 36 vite organizim kroçerash nuk u ishte refuzuar kurrë hyrja në një shtet për shkak të identitetit të pasagjerëve.

Në këtë udhëtim pritet të marrin pjesë rreth 1.900 persona, mbi 1.100 prej të cilëve janë shtetas amerikanë.

Vendimi vjen në një kohë kur qeveria e presidentit Recep Tayyip Erdoğan ka ashpërsuar qëndrimin ndaj komunitetit LGBTQ+, ndërsa marshimet e Pride në Stamboll vazhdojnë të jenë të ndaluara që nga viti 2015.