Nga George Kroi:
Eleganca që po varroset në mes të Korçës.
Prej shumë vitesh jetoj larg Shqipërisë. Jam një ndërtues i çertifikuar dhe i liçensuar për shtetet e Southeastern of USA.
Kam gjëra që nuk më largohen kurrë nga mëndja dhe zemra. Njëra prej tyre është vëndi ku u linda dhe u rrita gjersa u bërra burrë, Korça. Ai qytet që dikur të mësonte se bukuria është kulturë, se eleganca është edukatë, se një qytet ndërtohet me shpirt.
Sot pashë këtë foto që më tronditi.
Në zemër të Korçës ngrihet një masë e zezë, e rëndë, pa asnjë dialog me qytetin përreth. Një objekt si Bajlozi i zi. Një objekt më shumë si bunker, si burg apo si fortesë, se sa si ndërtesë që duhet të jetojë në harmoninë e një prej qyteteve më të bukura të vëndit.
Pyetja ime këtë radhë nuk është për qeverinë mafioze. As për Peterin, arkitektin bastard i cili solli një vizion modern sipas shijes së tij, pa e ndjerë historinë, frymën, kulturën dhe karakterin e Korçës. As për Peleshët dhe Filot me gjith gdhënjtë që mbajnë rrotull dhe as për sekretet që sa pak rëndësi i jepet identitetit urban kur vendimet merren me llogjikën e pushtetit idiot. I kam nxjerrë të gjithë nga defteri.
Pyetja ime është për korçarët.
Po ju ku ishit?
Ku ishte krenaria për qytetin tuaj?
Ku ishte ajo sedër more që dikur ju dallonte nga të gjithë?
Si mund ta shikonit ditë pas dite një monstër prej betoni duke u ngritur në mes të qytetit dhe të mos ngrinit zërin?
Në fillim mund të mos e kishit kuptuar se askush nuk e sheh të plotë një ndërtesë kur është ende skelet. Po kur filloi të merrte formë, kur u bë e qartë se po lindte një trup i huaj në mesin e një qyteti me identitet kaq të veçantë, ku i kishit sytë dhe gojën?!
U ngrit një kullë që nuk kishte asgjë të përbashkët me sheshin historik. Folët sa folët po më pas e qepët gojën.
Pastaj u prekën hapësirat publike. Ju prapë e qepët.
U ngushtuan rrugët dhe u zhdukën sheshet. Ulët kokat e s’u ndjetë.
U dëmtuan zonat karakteristike të mbrojtura. Ulët kokat më keq.
Prishën shtëpitë që mbanin mbi supe historinë e qytetit dhe në vend të tyre mbinë godina pa identitet. Heshtje absolute.
Transformuan mësonjtoren e parë shipe. U nemitët.
U ngrit biblioteka e re që mbulon pamjen dhe ze frymën e qytetit. S’u ndjetë gjëkund.
Sot, kjo masë e zezë paska qënë vetëm kapitulli i radhës. Po përsëri heshtje mo?
Po dhe sikur vetëm me “fshatarë” të trashë të ish mbushur komplet Korça, këtë radhë as atyre nuk do u falej ta kishin lejuar aty këtë përbindësh.
Ndoshta është kjo e keqja më e madhe e kohës sonë. Jo se ndërtohen shëmti, po se juve u mësoki me to. Epo atere mos u ankoni më e të thoni se Korça nuk është më Korçë.
Qytetet nuk humbin brenda një nate. Ato humbin tullë pas tulle, kat pas kati, leje pas lejeje dhe mbi të gjitha, heshtje pas heshtjeje.
Dikur Korça ishte qyteti ku njerëzit krenoheshin me estetikën. Diskutonin për arkitekturën, për fasadat, për kangjellat, rrugicat me kalldrëm, për oborret dhe portat. Sot duket sikur mjafton që një ndërtesë të jetë moderne dhe asnjë nuk guxon të pyesë pyetjen më të thjeshtë…Moderne, po për kë?
Çfarë dialogu ka kjo ndërtesë me qytetin?
Çfarë respekt tregon ndaj historisë të Korçës?
Çfarë bukurie i shton peisazhit?
Apo mjafton të jetë e kushtueshme që të quhet arkitekturë?
Jo çdo gjë e shtrenjtë është e bukur. Jo çdo gjë moderne është art dhe jo çdo projekt i firmosur nga ndnjë emër i njohur është sukses,se arkitektura nuk është konkurs egoje.
Korça nuk ka nevojë të bëhet si Dubai, as si Berlini, as si ndonjë vënd tjetër. Korça ka nevojë të mbetet Korçë.
Qyteti nuk u përket vetëm atyre që qeverisin për katër vjet. As arkitektëve që vijnë, vizatojnë dhe pastaj marin paratë e ngrihen ikin. Korça u përket brezave që kanë jetuar aty dhe atyre që do të lindin nesër. Nëse humbet identiteti i tij, nuk e rikthen dot asnjë fond dhe asnjë projekt europian. Prandaj kjo nuk është vetëm historia e një godine të zezë, po e një qyteti që tashmë po humb fare ngaqë shumë njerëz vendosën të mos shohin e mos flasin.
Qytetet janë si njerëzit.
Kanë fytyrë, karakter dhe kujtesë. Nëse ia ndryshon fytyrën pa respektuar shpirtin, nuk e ke zbukuruar, po e ke shpërfytyruar.
Korça nuk ka nevojë për monumente të egos, por për ndërtesa që flasin gjuhën e saj. Gurin e saj. Dritën e saj. Elegancën e saj. Korça nuk u bë e dashur nga rastësia. U bë e tillë nga breza njerëzish që ndërtuan me masë, me shije dhe me respekt. E keqja nuk është se sot ngrihet një godinë që shumëkush e sheh si të huaj për qytetin, e keqja është se nesër mund të ngrihen e dhjetë të tjera, ndërsa ju do të kini mësuar të mos çuditeni më.
Në histori nuk do të shkruajnë se Korça humbi nga mungesa e parave. Do të shkruajë se humbi nga mungesa e guximit. Një qytet nuk prishet vetëm nga ata që ndërtojnë pa shije, po prishet edhe nga ata që shohin, psherëtijnë dhe vazhdojnë rrugën sikur të mos ketë ndodhur hiç asgjë. Atëherë nuk do kini më të drejtë të thoni..”Na e shkatërruan Korçën.” E vërteta do të jetë më e hidhur…e latë të shkatërrohej. gk


